Analisti Visar Rrecaj ka kritikuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, duke e cilësuar atë si të pritshëm, politik dhe skandaloz.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Rrecaj ka thënë se që nga themelimi i Dhomave të Specializuara nuk është parë një aktgjykim i plotë lirues, prandaj, sipas tij, edhe vendimi i fundit nuk ishte befasi.
“Prej se janë krijuar Dhomat e Specializuara, ne nuk kemi parë një vendim lirues apo një aktgjykim lirues të plotë. Prandaj, edhe ky vendim ka qenë i pritshëm. Duke marrë parasysh faktin se vendimi për çështjen kryesore është bazuar në prova të paqëndrueshme, të cilat në çfarëdo gjykate tjetër nuk do të ishin themel i një vendimi, mendoj se edhe në këtë gjykim të radhës do të kemi një vendim të tillë”, ka deklaruar Rrecaj.
Ai ka vlerësuar se vendimet e deritanishme kanë dëmtuar besimin dhe kredibilitetin e kësaj gjykate.
“Besimi dhe kredibiliteti veçse kanë rënë dhe nuk mund të presim vendime më të mira nga ato që kemi parë deri më tani”, është shprehur ai.
Rrecaj ka komentuar edhe bazën ligjore të veprave për të cilat është dënuar Thaçi, duke pretenduar se disa nga pikat nuk gjenden në legjislacionin penal të Kosovës.
“Këto pika nuk i gjejmë në juridiksionin tonë penal. Kemi disa pika të Gjykatës Speciale, të cilat janë krijuar me juridiksion dhe rregulla të veta dhe, si të tilla, nuk mund t’i komentojmë aq shumë, sepse janë të pakapshme për ne si qytetarë të Kosovës”, ka thënë ai.
Duke folur për dënimet e shqiptuara ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Rrecaj ka vlerësuar se ato kanë qenë të ulëta nga aspekti profesional, duke argumentuar se procesi për të cilin akuzoheshin të dënuarit nuk kishte arritur të pengohej.
“Dënimet ishin të ulëta sot në aspektin profesional, sepse i gjithë procesi që ka ndodhur sot është joefektiv. Procesi për të cilin janë akuzuar këta se e kanë penguar ka përfunduar në shtator dhe i gjithë procesi e ka humbur efektin. Prandaj, dënimet është dashur të ishin edhe më të ulëta”, ka deklaruar Rrecaj.
Në fund, ai ka përsëritur se, duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme, nuk kishte pritur një vendim tjetër nga Gjykata Speciale, të cilin e konsideron të padrejtë dhe politik.







