Alarmi i dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se rastet me fruth në Europë u 30 fishuan në 2023 dhe identifikimi i më shumë se 17 rasteve vetëm përgjatë janarit në Shqipëri ka ngritur në alert strukturat shëndetësore.
Hetimi epidemiologjik për rastet tashmë të konfirmuara vazhdon ende nga mjekët dhe specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.
Paralelisht me kapjen në kohë të kontakteve të fëmijëve të sëmurë, mjekët e poliklinikave po bëjnë dhe identifikimin në terren të të gjithë fëmijëve që nuk janë vaksinuar.
Përhapja e fruthit sipas bluzave të bardha vjen nga mos injektimi I vaksinës nga më shumë se 24% e fëmijëve të moshës 1 vjeç.
Specialistët e ISHP, në raportet e tyre bëjnë me dije se në Tiranë janë më shumë se 13 mijë fëmijë, ndërsa mbulesa vaksinale është 73% me dozën e parë të vaksinës. Kjo bën që për epidemiologët, kryeqyteti të jetë më i rrezikuar nga shpërthimi epidemik i fruthit.
Po ashtu, edhe Fieri, ku mbulesa vaksinale është rreth 80% si dhe qyteti i Durrësit.
Këto cilësohen sipas specialistëve si qarqet me potencial më të lartë për të pasur shpërthime epidemike, ndaj kërkohet që prindërit të sensibilizohen dhe të vaksinojnë fëmijët e tyre./euronwes.al