Mikhail Bogachek është emri i propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Kosovës.
Emri i tij është publikuar nga Shtëpia e Bardhë në listën e nominimeve të përcjella në Senatin amerikan për shqyrtim dhe konfirmim.
Bogachek pritet të marrë detyrën e re vetëm pas miratimit nga Senati, në përputhje me procedurat e emërimit të ambasadorëve amerikanë.
Ndryshe, ai ka një përvojë mbi 25-vjeçare në udhëheqjen e inovacionit dhe zhvillimin e sektorëve të kujdesit shëndetësor, teknologjisë dhe qeverisjes.
Në karrierën e tij profesionale, Bogachek ka shërbyer edhe si drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e funksionimit dhe administrimit institucional.
Në këtë pozitë, ai ka mbikëqyrur disa fusha të rëndësishme të organizatës, përfshirë menaxhimin financiar, prokurimin, burimet njerëzore, teknologjinë e informacionit dhe mbikëqyrjen e menaxhimit, si dhe Zyrën për Menaxhimin e Riskut.








