Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se anëtarët e Kuad-it, një aleancë e sigurisë që përfshin SHBA-në dhe tri vende të rajonit Indo-Paqësor, kanë arritur marrëveshje që synojnë garantimin e zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike.
Trump u takua me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, dhe kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi – liderët e tjerë të Kuad-it – të enjten në Filipine.
“Vendet tona janë katër cepat e një Indo-Paqësori të lirë, të hapur, të qëndrueshëm dhe të begatë”, tha Trump në deklaratën e tij para takimit në Manila.
Gjatë takimit, Trump tha se marrëveshjet për mineralet kritike synojnë të parandalojnë “shtrëngimin nga ana e cilitdo furnizues të vetëm të huaj”.
Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën, e cila dominon furnizimin global me elemente të rralla të tokës.
Më vonë, Trump deklaroi se SHBA-ja do të ketë “gjithçka që i nevojitet” sa i përket elementeve të rralla të tokës brenda 10 muajve.
“Ne po prodhojmë elemente të rralla të tokës në një nivel që nuk e kemi arritur kurrë më parë. Do t’i arrijmë ata (Kinën) brenda 10 muajve”.
Vitin e kaluar, Kina vendosi kufizime ndaj eksporteve të elementeve të rralla të tokës, në kuadër të një mosmarrëveshjeje tregtare me SHBA-në.
Në qershor, të dyja palët arritën një marrëveshje që synonte rikthimin e qasjes së SHBA-së në furnizimet e Kinës me këto minerale.
Në një deklaratë pas takimit të liderëve, Kuad-i shprehu “shqetësim të thellë” për “shtrëngimin ekonomik”, përfshirë edhe përmes kufizimeve arbitrare të eksporteve, shkruan Al Jazeera.
Ndonëse deklarata nuk përmendi asnjë shtet me emër, SHBA-ja dhe Japonia janë ankuar për kufizimet e Kinës ndaj eksporteve të elementeve të rralla të tokës, të cilat janë jetike për prodhimin e gjithçkaje, nga veturat elektrike deri te telefonat mobilë.
Trump mori pjesë gjithashtu në një samit të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), në Manila, në ditën e parë të vizitës së tij treditore në Azi.
Pas Filipineve, Trump do të udhëtojë drejt Kinës dhe do të marrë pjesë në forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen, ku pritet të zhvillojë një takim trepalësh me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping të enjten.








