Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, ka njoftuar vendosjen e sanksioneve të para ndaj tetë kompanive izraelite të ndërtimit dhe zhvillimit të pronave, të cilat janë të përfshira në planifikimin dhe ndërtimin e vendbanimeve ilegale në Bregun Perëndimor.
Masat synojnë të ndërpresin financimin e këtyre kompanive, ndërsa sanksione janë vendosur edhe ndaj një grupi të djathtë aktivistësh izraelitë, të akuzuar për pengimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Gaza.
Vendimi vjen në prag të ndarjes së tenderëve për projektin e madh të vendbanimeve E1 në Bregun Perëndimor. Miliband theksoi se Britania do të mbrojë mundësinë e zgjidhjes me dy shtete.
“Mesazhi im për E1 është i qartë: mos konkurroni, mos ndërtoni dhe mos përfitoni nga shkatërrimi i zgjidhjes me dy shtete. Dhe ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa ata që bllokojnë ndihmat e domosdoshme thellojnë vuajtjet e patolerueshme të civilëve në Gaza. Status quo-ja në Bregun Perëndimor dhe Gaza është e papranueshme”, deklaroi Miliband.
Sipas Ministrisë së Jashtme britanike, qeveria aktuale izraelite jo vetëm që nuk ka ndërmarrë hapa për të ndalur zgjerimin e vendbanimeve ilegale, por edhe e ka lehtësuar dhe nxitur atë, shkruan Guardian.
Ndërkohë, situata humanitare në Gaza mbetet kritike. Sipas OKB-së, më shumë se 150 mijë tenda dhe 300 mijë mbulesa plastike, të siguruara nga organizatat humanitare, vazhdojnë të mbahen jashtë Gazës për shkak të ndalimit nga autoritetet izraelite.
Izraeli arsyeton kufizimet me nevojën për të parandaluar Hamasin që të sigurojë materiale të cilat mund të përdoren për sulme ndaj vendit.










