Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), sot po publikon rezultatet e hulumtimit “A mundet terapia familjare të rikthejë ndryshimet epigjenetike që mund të jenë të shkaktuara nga efektet e Çrregullimit të Stresit Pas Traumatik (ÇSPT) amnor dhe traumës ndër-brezore?
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se ky hulumtim është i pari i kësaj natyre që argumenton se traumat e grave të dhunuara seksualisht janë bartur edhe te fëmijët e tyre.
“Gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, trauma ndërvepron dhe qarkullon tek të gjithë anëtarët e familjes. Kjo konferencë është titulluar jo rastësisht “A mundet terapia familjare të rikthejë ndryshimet epigjenetike që mund të jenë të shkaktuara nga efektet e çrregullimit të stresit pas traumatik ambor dhe traumës ndër-brezore?”, ku është vërtetuar që trauma e shkaktuar është bartur edhe tek fëmijët”, u shpreh ajo.
Më tej, Rushiti shtoi se ky studim tregon se terapia familjare ka mund të ndikojë pozitivisht.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott theksoi se mbështetja e mbijetuarve është prioritet i qeverisë britanike.
“Përmes iniciativës për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt ne do të vazhdojmë të kontribuojmë drejt këtij prioriteti. Studime të tilla janë shumë të rëndësishme për Kosovën, së pari parandalimi i dhunës seksuale dhe parandalimi i bartjes së traumës në gjenerate. Gjetjet nga ky studim vërtetojnë që përkrahja e të mbijetuarve parandalon bartjen e traumës”, shtoi ai./kp