Skuadra e Rahovecit 029 që po përballet me një krizë financiare ka mbetur pa lojtarin kryesor, pasi amerikani Mika Adams është larguar nga klubi që garon në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në të vërtetë, Adams ishte edhe koshashënuesi më i mirë i Superligës, ku në 7 paraqitje kishte një mesatare prej 26 pikëve, 7 kërcimeve dhe 6 asistimeve për ndeshje.
Adams, po ashtu kishte fituar edhe çmimin “MVP i Javës” dy herë në Superligë kurse nuk luajti fare në humbjen e fundit të Rahovecit 029 nga Trepça.
Ai iu bashkua Rahovecit 029 në fillim të këtij sezoni por kriza financiare e klubit ka bërë që ai të largohet për të vazhduar karrierën në Izrael.
Krahas Adamsit, te Rahoveci 029 pritet të ketë edhe largime tjera të lojtarëve të huaj, duke pasur parasysh se ndaj Trepçës e kishte në përbërje vetëm një, Jabari Craig.
Rahoveci 029 është i parafundit në tabelë me 10 pikë pasi ka regjistruar 2 fitore karshi 6 humbjeve në kampionat, ndërsa ndeshjen e radhës e luan në udhëtim kundër Bashkimit.








