Në ditën e dytë të Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë folur për rëndësinë e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe vendosjen e pacientit në qendër të sistemit.
Haxhiu ka theksuar se cilësia e shërbimeve shëndetësore nuk duhet të matet vetëm përmes standardeve dhe vlerësimeve institucionale, por edhe përmes përvojës së pacientëve dhe mënyrës se si ata trajtohen në institucionet shëndetësore.
Ajo ka thënë se qytetarët presin të marrin ndihmën e nevojshme në kohën e duhur, të dëgjohen dhe të trajtohen me profesionalizëm e dinjitet.
“Pacienti dëshiron të dijë nëse do të marrë ndihmën që i nevojitet, në kohën kur i nevojitet, nëse dikush do ta dëgjojë, do t’ia shpjegojë gjendjen dhe do të kujdeset për të me profesionalizëm e me dinjitet”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka vënë theksin edhe te pabarazia në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, duke thënë se trajtimi cilësor nuk duhet të varet nga vendbanimi, gjendja ekonomike apo njohjet personale.
Haxhiu ka kërkuar që ankesat e pacientëve të trajtohen me seriozitet dhe të shndërrohen në masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve.
“Konsideroj që nuk mjafton vetëm që ato të regjistrohen; ato duhet të çojnë në përmirësime konkrete, në mënyrë që pacientët e tjerë të mos përballen me të njëjtat probleme”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dita e dytë e konferencës është përqendruar në diskutime profesionale, prezantime dhe shkëmbim të përvojave nga Kosova dhe vendet e tjera.
Ai ka bërë të ditur se temat e trajtuara përfshijnë sigurinë e pacientit, auditimet klinike, udhërrëfyesit dhe protokollet shëndetësore, përdorimin racional të barnave, inovacionin teknologjik dhe përvojën e pacientit.
Vitia ka theksuar se standardet dhe politikat shëndetësore kanë vlerë vetëm atëherë kur përkthehen në shërbime më të mira dhe trajtim të sigurt për qytetarët.
“Sistemi informativ shëndetësor, për të cilin tashmë ka filluar puna nga grupet përkatëse, natyrisht se ndihmon shumë në këtë proces, sepse digjitalizimi, ndër të tjerash, lehtëson komunikimin, koordinimin, por edhe vendimmarrjen”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka shtuar se përgjegjësitë e qarta, monitorimi dhe treguesit e matshëm të performancës janë të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, nga kujdesi parësor deri në QKUK.
Në fund, ministri ka ritheksuar se pacienti duhet të jetë në qendër të çdo investimi dhe ndryshimi në sistemin shëndetësor, ndërsa cilësia e shërbimit duhet të vlerësohet edhe përmes kohës së pritjes, komunikimit me profesionistët shëndetësorë dhe respektimit të dinjitetit të pacientit.








