Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e gjendjes pronësore në oborrin e saj dhe së shpejti pritet të nisë lirimi i hapësirave të uzurpuara dhe rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje.
Sipas njoftimit të QKUK-së, komisioni i posaçëm, i formuar në mars të këtij viti, ka realizuar verifikimin në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës. Procesi është mbështetur në ortofoto dhe plane kadastrale, të cilat kanë dëshmuar se brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private.
Në kuadër të këtij procesi, QKUK-ja u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar dëshmi për bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave publike.
Megjithatë, sipas institucionit, asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti përkatës është në proces legalizimi. Dokumentacioni i dorëzuar ka përfshirë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.
Gjetjet e komisionit janë mbështetur edhe nga inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), të cilët gjatë inspektimeve të fundit kanë konfirmuar konstatimet lidhur me gjendjen e objekteve dhe shfrytëzimin e hapësirave.
Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet e Inspektoratit Komunal dhe atij të MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së ka bërë të ditur se tashmë posedon bazën e nevojshme ligjore për të ndërmarrë veprimet e radhës.
Qëllimi i këtij procesi, sipas QKUK-së, është lirimi i pronës publike dhe kthimi i hapësirave në shërbim të pacientëve dhe qytetarëve.







