Autore: Jona Kelmendi
Në parkun e “Dardanisë” në kryeqytet, ku fëmijët e qytetarët zakonisht shëtisin, aty ka dhe qenë endacakë.
Për shumë banorë, kjo pamje është shndërruar në burim frike, sidomos në mbrëmje kur lagjja mbetet pa ndriçim të mjaftueshëm.
Ata thonë se rreziku është i vazhdueshëm dhe se situata ka kohë që është përkeqësuar.
“Është e teprume kjo punë, jo vetëm për momentin por që afër dy vjet-tri bohen që ka shumë sidomos këtu në Dardani, shumë shumë. Edhe po i bijnë prej fshatrave të rrethit i lëshojnë në mëngjes herët kur qohesh i gjon 5-6-7, e verës tre fëmijë tu lujt veq kanë vrapu njerëzit i kanë kap se shashtrisë i kanë. Jemi në rrezik edhe fëmijët që shkojnë mëngjes në shkollë janë në rrezik por megjithëse edhe na plakat jemi por fëmijët janë fëmijë, edhe janë të egërsum shumë”, deklaroi banorja e lagjes “Dardani”, Nexhmije Ademi.
“Edhe në park qetu edhe rrugëve sidomos edhe tek shpijat, banesat po ka plotë sidomos kur bëhet aksham, unë nuk guxoj me dal po u them të drejtën kur ka rrugë me dritë dal kur është terr nuk dal”, u shpreh banorja tjetër, Kimete Selmani.
Të njëjtin hall e ka edhe banori Tahir Neziri, i cili thotë që edhe mungesa e ndriqimit e bën më të rrezikshme situatën.
“Ka një kohë që qentë endacakë janë rrezik për ne të moshuarit, gratë edhe fëmijët. Ka pas disa raste kur kanë pësu lëndime bukur të rënda, ni kohë i patën largu mirëpo tash prapë i ka thirr dikush, tash janë shumu prapë, i patën largu për një kohë por megjithatë është rrezik se edhe lagjia Dardania nuk është e ndriçume, mungon ndriçimi publik e ai rrezik shtohet gjithnjë e më shumë posaçërisht natën tubohen ma herët”.
E nga Drejtoria e shërbimeve publike në Prishtinë në një përgjigje më shkrim për televizionin thonë që e tëra që është bërë është nga kontributi i kryeqytetit dhe zero nga niveli qendror.
“Deri më tani janë sterilizuar, kastruar e vaksinuar rreth 5000 qenë. Në Prishtinë, përfshirë parkun e qytetit, dhe rrethinën duhet të ketë numër më të madh se 5000 qenë, andaj largimi i tyre është proces i cili do të zgjasë. Kemi kontaktuar deri më tani me mbi 100 organizata vendore e ndërkombëtare, edhe pse, dorën në zemër, pak kemi marrë përkrahje nga ato. E tëra që është bërë deri më tani është kontribut i Kryeqytetit me zero kontribut të nivelit qendror”.
Problematika me qentë endacakë vazhdon të jetë një shqetësim i kamotshëm i qytetarëve, e sipas komunës thonë që deri më tani janë adoptuar afër 2000 qenë, proces ky që është duke e vazhduar.