Plot 20 vija i bën në hyrje të Inspektoratit Qendror të Punës në Prishtinë.
Secila prej tyre, simbolizoi nga një punëtor, i cili humbi jetën tragjikisht në vendin e punës gjatë vitit 2026.
Për këtë arsye të mërkurën në rrugë doli edhe Institutit për Aksion Afirmativ.
Këta të fundit, protestuan për vdekjet e vazhdueshme të punëtorëve në vendin e punës.
“Siguria e jetës së punëtorëve nuk ka qenë asnjëherë synim dhe në të njëjtën kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap i rëndësishëm që e ka trajtuar këtë çështje, e cila është shndërruar në fenomen. Dje një punëtor e humbi jetën në vendin e punës në Zubin Potok, një 27-vjeçar. Është punëtori i 20-të që vetëm në vitin 2026 e ka humbur jetën. Pra, punëtori i 20-të. Prej vitit 2021 deri në vitin 2026, 99 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të rrezikshmërisë në vendpunishte”, ka thënë Lisjan Perolli nga Institutit për Aksion Afirmativ.
Nga ky institut thonë se nuk mjafton vetëm rritja e numrit të inspektorëve.
“Që të jemi të qartë, inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve është shumë e rëndësishme, ama është edhe e pamjaftueshme. Viti i kaluar ka shënuar rekord për vdekjet e punëtorëve, 37 punëtorë, kanë vdekur, por në të njëjtën kohë është rritur tepër shumë numri i inspektimeve në vendpunishte. Kjo tregon që është e pamjaftueshme me pas synim vetëm inspektimin edhe vetëm Inspektoratin e Punës”, ka deklaruar tutje Perolli.
Sipas Perollit, synimi i Qeverisë duhet të jetë ndërtimi i mekanizmave të rinj që parandalojnë fatalitetin në punë.
“Synimi i qeverisë do të duhej me qenë që të ndërtojë mekanizma të rinj, përmes të cilëve e preventon fatalitetin në vendin e punës, e rrit sigurinë edhe i parandalon lëndimet. E dyta; Këta mekanizma kishin dashur me bërë përgjegjëse edhe komunën në një sens, sepse kontrolli i vendpunishteve dhe kontrolli i vendeve të punës do të duhej me qenë i ndodhur në baza ditore. Sot punëtori frikësohet kur zgjohet nga gjumi për me dalë në punë, sepse potencialisht mundet me humbur jetën”, u shpreh tutje Perolli.
Ndryshe, sikurse ky vit, edhe viti i kaluar u shënua me vdekje të shumta të punëtorëve në vendin e punës.
Gjatë vitit 2025, janë regjistruar 32 raste kur punëtorët e humbën jetën tragjikisht në vendpunishte.



