Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, të martën ka pritur në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u rikonfirmuan marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral.
Presidentja Shiroka-Pula ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e institucioneve të Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes sllovene për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit, me theks të veçantë në synimin për anëtarësim në NATO.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare.
Në këtë drejtim, presidentja ka vlerësuar potencialin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së investimeve dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik./teve1.info/







