Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me akuzat për “pengim të drejtësisë”.
Qeveria ka theksuar se rezervat e shprehura në vazhdimësi ndaj Dhomave të Specializuara mbesin të qëndrueshme.
“Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpall aktgjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Poashtu në deklaratën e Qeverisë thuhet se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.
“Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Gjykata Speciale në Hagë ka dënuar me 17 muaj burgim, ish-presidentin Hashim Thaçi, me nga 12 muaj, Bashkim Smakajn e Fadil Fazliun dhe një muaj me kusht Hajredin Kuçin në rastin për “pengim të drejtësisë”.
Gjykata e ka shpallur të pafajshëm për akuzat Isni Kilajn./teve1.info/







