Në Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale është diskutuar për praktikat rajonale në trajtimin dhe ndëshkimin e këtyre krimeve.
Nga Kroacia dhe Bosnjë Hercegovina kanë folur përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të cilët u ndalën nw legjislacionin në fuqi, por edhe kompensimin për traumat e luftës.
Këto diskutime janë bërë në konferencën rajonale me temën “Avancimi i qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës: Përgjegjësia penale dhe e drejta për kompensim”.
Gjyqtarja në Gjykatën e Lartë Penale në Kroaci, Ljiljana Stipisiq, tha se viktimat atje merren vetëm një herë në pyetje për procesin gjyqësor.
“Viktimat merren në pyetje vetëm një herë, gjithashtu edhe gjyqtari hetues pa marrë parasysh që avokatura e udhëheq këtë punë, nëse viktima është marrë në pyetje nga link-lidhje përmes mbrojtësit të saj, garantohet e drejta nga neni 6 i Konventës Evropiane që viktima të mos merret për së dyti në pyetje. Ekziston incizimi, regjistrimi dhe kjo përdoret, kjo është diçka që i shkon për shtati viktimës, sepse nuk i nënshtrohet riviktimizimit dhe ritraumatizimit. Viktima mund të merret në pyetje përmes video-lidhjes në shtetin tjetër, kjo mund të bëhet në procedurën ndëshkimore, për vepra të rënda penale viktima mund të kërkojë që dëmshpërblehet gjatë procedurës, kjo është mundësi për viktimën për të realizuar të drejtën në kërkesën pronësore”, tha ajo.
Po ashtu, viktimat e dhunës seksuale në Kroaci kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim sipas Ligjit për Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kroaci.
“Shuma është prej 13 deri në 20 mijë euro dhe mund të marrin edhe një pagë mujore diku 414 euro. Kjo mund të bëhet në raport me kryerësin e panjohur, që është shumë me rëndësi sepse mbrohet kështu viktima. Ajo që është me rëndësi është mënyra e marrjes në pyetje, dëgjimit dhe pjesëmarrja e personit me besimin e saj”, shtoi ajo.
Klaudia Kuljuh nga Trial International në Bosnje dhe Hercegovinë tha se ka numër të madh të të mbijetuarve qe asnjëherë nuk kanë ndarë rrëfimet e tyre.
“Në Bosnje dhe Hercegovinë nga Trial International, bisedojmë me kolegë që stigma po rritet, ajo nuk po zvogëlohet sepse me kalimin e kohës për vet faktin që jo të gjitha lëndët janë kryer, kemi një numër të madh të të mbijetuarve edhe gra edhe burra të cilët kurrë nuk kanë treguar se çfarë u ka ndodhur, ndoshta edhe nuk do ta trajtojnë kurrë. Kemi në Bosnje mes 20-50 mijë të këtyre rasteve, sepse në Bosnje e kemi Ligjin për të dy entitetet ku Trial International e ka rolin e madh për viktimat civile dhe të mbijetuarit e Dhunës në Familje por edhe fëmijët të lindur si akt i dhunimit në luftë. Vet hyrja në këtë ligj për të mbijetuarit shkakton trauma të madhe”, u shpreh ajo.
Gjyqtari i Apelit, Valon Kurtaj tha trajtimi i rasteve të dhunës seksuale është revolucion në sistemin e drejtësisë së Kosovë.
Megjithatë foli edhe për sfidat pas marrjes së kompetencave si institucione vendore në trajtimin e krimeve të luftës.
“Është e vështirë fjala e viktimës përballë kohës, frikës, heshtjes, stigmatizimit. Këto ishin çështje që kishin të bënin me aspektin personal të viktimës, të cilat patën ndikim të madh në trajtimin e këtyre çështjeve. Na dolën sfida profesionale, sfida brenda gjyqësorit, kaloi një kohë e gjatë dëshmitë filluan të zbehen. Disa prej tyre nuk ishin gjallë. Sigurimi i provave ishte shumë i vështirë. Gjykata filloi nga e para pas gati 20 vitesh. Kjo ishte një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Mirëpo, me punën që ka bërë ky departament edhe pse me kapacitete të cunguara, por mendoj që duhet atij departamenti t’i ngritën kapacitetet qoftë profesionale, financiare por edhe mbështetje logjistike deri në maksimum nëse ne dëshirojmë të trajtojmë këto raste pa vonesë me profesionalizëm dhe të profilizohen gjyqtarët në këtë fushatë”, përfundoi ai.
Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.
Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.
Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.







