Një përplasje e ashpër është zhvilluar sot në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, pasi asamblisti Marko Jakshiq kërkoi që në rendin e ditës të përfshihej një pikë për situatën aktuale në veri dhe zhvillimet në Mitrovicën e Veriut.
Jakshiq ka përmendur arrestimin e nëntë personave në Zubin Potok, si dhe pretendimin për ndalimin e punimeve në një projekt të komunës, duke kërkuar që Kuvendi të diskutojë për këto zhvillime dhe të miratojë një deklaratë përmes së cilës do të shprehte qëndrimin e tij.
Pas kësaj, asamblistja Aida Ferati-Doli ka reaguar, duke thënë se çështjet e përmendura nga Jakshiq nuk duhet të lidhen me pronat e “Trepçës” në baza politike apo etnike.
“Zotëri koleg asamblist i ka përmendur çështjet e njëjta. Kështu që kësaj radhe nuk kam çare pa reaguar. Po i përmend disa herë pronat e ndërmarrjes ‘Trepça’ dhe po dëshiroi t’i lidhni politikisht, për shkak se këto prona po merren nga ndërmarrja vetëm në veriun e Mitrovicës gjë që nuk është e vërtetë. Ndërmarrja ‘Trepça’, e cila punon dhe vepron në Mitrovicë, ka prona edhe në komuna të tjera. E njëjta ndodh edhe në komuna të tjera, kështu që iu kisha lutur, sa i përket këtyre pronave, pronat i takojnë ndërmarrjes, gjë që ua ka dëshmuar edhe me gjyq që janë të ndërmarrjes. Kështu që iu kisha lutur, zotëri Jakshiq, mos i ndërlidhni çështjet politike duke dashur t’i ktheni në etnike. Këto prona janë, kudo që ka ndërmarrja ‘Trepça’, prona”, tha Ferati-Doli, transmeton KosovaPress.
Gjatë debatit, kryesuesi i Kuvendit, Ivan Zaporozhac, ia ka ndërprerë fjalën Ferati-Dolit, duke thënë se çështja nuk ishte pjesë e rendit të ditës.
Ferati-Doli ka kundërshtuar ndërprerjen e fjalës dhe ka thënë se asaj dhe asamblistëve shqiptarë u ndërpritet fjala, duke kërkuar që të lejohet debati.
“Jo, jo, nuk jemi duke folur për rendin e ditës, z. kryesues. Nuk jemi duke folur për rendin e ditës. Na jepni fjalën para rendit të ditës. Kështu që nuk është hera e parë që tentoni të na merrni fjalën, zotëri kryesues. Ju lutem, na lini të flasim. Pse gjithmonë ndodh kjo, na ndërpritni fjalën te unë ose te kolegu shqiptar asamblist? A po kupton? Asnjërit tjetër nuk ia ndalni fjalën. Jo, të lutem, mos më prek. (Ndërhyn Ivan Zaporozhac: Kjo tash nuk është në rendin e ditës dhe nuk mund të flasim… Mund të flisni sa të doni… Nuk ju lë ta përfundoni fjalën) Kështu që… të lutem, më lë ta përfundoj. Nuk mund të ma ndërpritni fjalën. Në rend të ditës jam, as zoti Jakshiq nuk ishte në rendin e ditës. As zoti Jakshiq nuk ishte në rendin e ditës. Jo, kështu flasim, na jep të drejtën me fol. Lëmë të përfundoj. Unë flas çka të dua. Epo, vazhdojmë pra kështu seancën. Mediat duhet parë që asamblistëve shqiptarë u ndërpritet fjala. Asnjë tjetri nuk iu ndërpritet fjala, nuk është në rregull, absolutisht”, tha Ferati-Doli.
Në debat është përfshirë edhe asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Emir Azemi, i cili ka kritikuar mënyrën e udhëheqjes së seancës nga kryesuesi.
“Nëse një koleg gjatë zhvillimit të seancës propozon një pikë të rendit të ditës, ju si kryesues nuk duhet ta keqpërdorni pozitën, duhet ta ushtroni në mënyrë të drejtë, t’i jepni mundësi debatit, sepse nëse kolegu propozon një pikë të rendit të ditës, unë duhet ta kundërshtoj me argumente ose t’i shtroj pyetje pse po e shtron atë pikë të rendit të ditës. Thjesht duhet të lejoni debat. Besoj që është gjë elementare që si kryesues duhet ta dini. Në këtë formë, mbledhjen e kaluar, mua nuk më keni lejuar të flas”, tha Azemi.
Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, ka thënë se Ferati-Doli nuk ishte paraqitur për të propozuar plotësim të rendit të ditës, por për t’iu përgjigjur Jakshiqit.
“Kolegu Marko Jakshiq u paraqit, kërkoi plotësim të rendit të ditës, ndërsa kolegia Aida nuk u paraqit për plotësim dhe për të propozuar një pikë të re të rendit të ditës, por u paraqit për t’i kthyer përgjigje. Kur të jetë ajo pikë e rendit të ditës në rend dite, dhe kur të kemi diskutim për atë pikë të rendit të ditës, secili prej jush do të ketë të drejtë të flasë dhe askujt nuk do t’i merret fjala. Sjellja e parë joprofesionale dhe mosrespektimi i kryesuesit nga kolegia Aida, sepse ia hoqa fjalën dhe nuk e lejova të fliste për këtë, sepse kjo nuk është tema e mbledhjes së sotme, sepse nëse ajo tha diçka, mbase kishte dikush që pas kësaj duhej të thoshte diçka, e jo t’i mbetet asaj kështu. Dhe kur të jetë kjo në rend dite, të gjithë do të kemi shumë gjëra për të thënë rreth kësaj. Nuk lejova që vetëm ajo të fliste për këtë dhe që ne ta votonim atë, që askush pas kësaj të mos ketë të drejtë t’i përgjigjet asaj që ajo tha. I thashë edhe kolegut Marko, se unë personalisht si kryesues do të përpiqem që ajo pikë të jetë në rendin e ditës qysh në mbledhjen e ardhshme të kuvendit, dhe që atëherë edhe kolegia Aida, si dhe të gjithë kolegët këshilltarë të mund të flasin, e jo vetëm ajo të flasë për këtë. Sikur ajo të ishte paraqitur për të propozuar një pikë të rendit të ditës, plotësim të rendit të ditës, nuk do t’ia kisha hequr fjalën. Sjellja e saj ishte joprofesionale. Unë e udhëheq këtë mbledhje ekskluzivisht në përputhje me ligjin, e jo të kem çfarëdo qoftë të keqe apo të mirë. I kam hequr fjalën edhe kolegëve këshilltarë nga Lista Serbe”, tha Zaporozhac.









