Shkruan: Naim Hajrizi
Rritja e basketbollit të Kosovës në vitet e pasluftës është një prej tregimeve më të suksesshme, jo vetëm në sport, por edhe në përgjithësi në zhvillimin e sportit në Kosovë.
Brenda katër-pesë viteve, nga një ligë gjysmë-profesionale, basketbolli i Kosovës u shndërrua në një garë ku u paraqitën yje të NBA-së, si Acie Earl dhe James Scott, si dhe lojtarë të njohur të Euroligës, ndër ta Vedran Bosniq, Davor Pejçinoviq dhe Ivica Mariq. Në atë periudhë, në Kosovë luajtën edhe basketbollistë nga pothuajse të gjitha ligat e forta evropiane.
Në vitin 2003/04 u formua Liga Profesionale, ku defiluan shumë emra të njohur të basketbollit evropian dhe botëror. Megjithatë, me kalimin e kohës u pa se kjo qasje nuk ishte më e mira për zhvillimin e basketbollit vendor, pasi basketbollistët e rinj kosovarë nuk kishin hapësirën e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të marrë përgjegjësi në ekipet e para.
Pas luftës, në basketbollin kosovar punuan edhe shumë trajnerë të suksesshëm dhe emra të njohur ndërkombëtarë. Josip Gjergja, fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror si trajner dhe një prej basketbollistëve më të mirë që ka pasur ish-Jugosllavia, punoi një sezon në Kosovë. Në këtë periudhë punuan edhe Vllado Vanjak, Ekrem Memnun, Ali Burgul dhe Boris Kurtoviq, trajnerë me përvojë dhe emër në basketbollin evropian.
Në të njëjtën kohë filluan të ngriten edhe basketbollistët vendorë, të cilët gradualisht u bënë bartës të ekipeve tona.
Deri në vitet 2017/18, basketbolli i Kosovës pati një ngritje të vazhdueshme. Një moment shumë i rëndësishëm ishte edhe anëtarësimi i FBK-së në FIBA më 13 mars 2015, si anëtarja e 215-të e saj.
Kulminacioni i kësaj periudhe ishte suksesi historik i Përfaqësueses A, e cila në vitin 2017 arriti të kalojë në mesin e 32 kombëtareve më të mira në kualifikimet për Kupën e Botës. Kosova në parakualifikime ishte në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, duke u renditur e dyta, pas Estonisë dhe para Maqedonisë, dhe u kualifikua për fazën e grupeve kualifikuese.
Nuk duhet të harrojmë as suksesin e KB Prishtinës, e cila në vitin 2015 u bë skuadra e parë kosovare që mori pjesë në FIBA Europe Cup. Në vitin 2018 arriti suksesin më të madh, duke u futur në mesin e 16 skuadrave më të mira.
Sot, skuadrat tona marrin pjesë edhe në parakualifikimet e Basketball Champions League dhe FIBA Europe Cup, por ende pa rezultate të krahasueshme me pritjet tona. Shpresojmë që njëra prej skuadrave kosovare ta tejkalojë suksesin e Prishtinës të vitit 2018.
Ku jemi sot?
Përfaqësueset e Kosovës, në të gjitha kategoritë, vazhdojnë të garojnë në nivelet më të ulëta evropiane, përkatësisht në Kategorinë C. Edhe Përfaqësuesja A vazhdon të luajë në faza parakualifikuese, ndonëse mendoj se Kosova duhet të synojë të ketë vendin e saj direkt në kualifikimet për Kampionatet Evropiane dhe Botërore.
Pyetja kryesore është: Si mund të dalim nga kjo situatë dhe ta rikthejmë basketbollin kosovar në rrugën e ngritjes?
Së pari, duhet të mobilizohen të gjithë ata që kanë përvojë dhe njohuri në basketboll. Duhet të formohen grupe të basketbollistëve dhe ekspertëve me përvojë, si dhe komisione mbikëqyrëse që do t’i përcjellin nga afër të gjitha garat e grupmoshave që organizohen nga FBK-ja.
Këto struktura duhet të përcjellin zhvillimin e secilit talent të ri, ngritjen apo ngecjen e tij dhe të kërkojnë nga të gjitha klubet e regjistruara në Federatë që të kenë plane strategjike pune për pesë ose më shumë vite.
Këto plane duhet të monitorohen çdo vit: ku është bërë përparim, ku ka ngecje dhe çfarë duhet të ndryshohet apo përmirësohet.
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është hapësira që u jepet basketbollistëve të rinj në ekipet e para. Lojtarëve 18-vjeçarë dhe më të rinj duhet t’u besohet më shumë. Nuk duhet të presim që një basketbollist të mbushë 25 apo 26 vjeç për t’i dhënë përgjegjësi dhe për të pritur pastaj që ai të bëhet bartës i klubit dhe i Përfaqësueses.
Nëse talentet nuk aktivizohen në kohën e duhur, atëherë rrezikojmë t’i humbim ose t’i zhvillojmë shumë vonë.
Prandaj, nuk mendoj se duhet ta humbim cilësinë dhe interesimin për Ligën tonë. Përkundrazi, duhet ta zhvillojmë atë edhe më shumë, por paralelisht duhet të punojmë në mënyrë shumë më profesionale me të rinjtë nëpër klube dhe t’u besojmë atyre më shumë.
Nuk mjafton që talentet e rinj të jenë pjesë e ekipit. Ata duhet të kenë hapësirë reale për të luajtur, për të gabuar, për të mësuar dhe për t’u rritur. Nuk duhet t’i mbajmë në bankën rezervë si shikues.
Dalja nga kjo situatë kërkon mobilizimin e të gjithë atyre që e duan dhe e njohin basketbollin. Duhet të krijojmë politika më të favorshme për zhvillimin e djemve tanë dhe, mbi të gjitha, duhet të kemi një vizion të qartë.
Unë jam gjithmonë i gatshëm të jap kontributin tim që basketbolli i Kosovës të ngrihet sa më lart. Por për ta arritur këtë, duhet t’ia parashtrojmë vetes qartë dy pyetje:
Ku duam të arrijmë dhe për sa vite duam ta realizojmë këtë objektiv?
Pa objektiva të qarta, pa plan strategjik dhe pa punë të vazhdueshme, është shumë e vështirë të presim rezultate të mëdha.
(Autori është ish-basketbollist i KB Trepça, trajner dhe udhëheqës i klubit dhe aktualisht veteran i basketbollit)









