Autore: Jona Kelmendi
Fabrika e armaturës ‘FAN Zahir Pajaziti’ në Podujevë, u privatizua në vitin 2006 dhe e mbyllur pesë vite më vonë.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, rreth 200 punëtorë ende presin të marrin pagat e tyre të mbetura borxh, të cilat tashmë janë pjesë e vendimeve gjyqësore dhe në shqyrtim nga Agjencia e Privatizimit.
Kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes, Bislim Rexhepi thotë se procesi i kërkesave për pagat kishte nisur vite më parë, pas privatizimit të fabrikës.
“Fabrika është privatizu më 23 mars 2006 ndërsa më 28 shtator 2013 kemi apliku gradualisht gjithë punëtorët individualisht në AKP për do paga që na ka mbet borxh fabrika e s’ka mujt me na pagu mas lufte, me rregull e i ka qit borxhet shërbimit të financave të fabrikës sa na ka mbet borxh”, ka thënë Rexhepi.
Rexhepi për tëvë1 thotë se pas vendimeve të Gjykatës Supreme, punëtorët që i kanë të aprovuara kërkesat e tyre, presin që pagesat t’u dalin deri në fund të muajit.
“Qetash na kanë dalë vendimet e shkallës së dytë të Gjykatës së posaçme, Gjykatës Supreme, këto vendime dikush është aprovues e dikush është refuzu prej Gjykate tash AKP i ka marrë është t’u i shqyrtu. Presim që ka fundi i mujit me i marr pagat këta punëtorë që i kanë vendimet aprovuese. 11 paga i kanë punëtorët e rregullt që kanë punu mas lufte prej 2000 deri në 2006, 11 paga i kanë që janë mbetë e ka që i kanë edhe 8 paga”, u shpreh ai.
Se kompensimi pritet të bëhet brenda këtij muaji e thotë edhe avokati i punëtorëve, Bejtush Isufi.
“Kjo procedurë për fat të keq ka zgjat prej 2013, por përfundimisht shpresojmë që gjatë këtij muaji punëtorët do të kompensohen me ato pagesa të cilat iu ka njoft Gjykata, dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme”, tha Bejtush Isufi – avokat i punëtorëve.
Sipas tij, ligjet ekzistuese kanë kufizuar kompensimin e punëtorëve, ndërsa vonesat më të mëdha, siç thotë ai, i ka shkaktuar vetë Gjykata.
“Ligji për dhomën e posaçme për fat të keq, edhe ligji për privatizimin, ka bo shumë privatizime kur janë në pyetje pagat e punëtorëve për shkak se ka kufizu kamatën vetëm në 10 përqind dhe kjo është një padrejtësi e madhe për shkak se për 12 vite punëtorët e ndërmarrjes shoqërore në Kosovë për gjitha këto vonesa do të marrin vetëm një 10 përqind për vonesën e këtyre pagesave. Kryesisht vonesa është shkaktuar nga Gjykata e cila nuk ka arrit që t’i trajtojë me kohë natyrisht që tash ka vonesa edhe të APK”, thotë Isufi.
Televizioni ka tentuar që të marrë një qëndrim edhe nga Agjencia e Privatizimit por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.