Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) i ka reaguar komisioneres së Bashkimit Evropian, Marta Kos, lidhur me kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
Në reagimin e saj, OVL-UÇK ka theksuar se Kos duhet të fokusohet në pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, në vend që të kundërshtojë nismat ligjore të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve evropiane që të trajtojnë shqetësimet e ngritura lidhur me procesin gjyqësor, duke iu referuar edhe raportit të _The Bar Human Rights Committee of England and Wales_ (BHRC).
OVL-UÇK i është referuar gjithashtu vendimit KSC-CC-2022, paragrafit 83, të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, për të argumentuar se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit.
Në reagim, organizata ka paralajmëruar se, nëse ligji nuk zbatohet pas hyrjes së tij në fuqi, veteranët dhe qytetarët do t’i rifillojnë protestat masive para institucioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë.
OVL-UÇK ka theksuar se Kuvendi i Kosovës është institucion sovran dhe përfaqëson vullnetin e qytetarëve, duke e cilësuar të papranueshëm presionin ndaj ushtrimit të mandatit të deputetëve.
Në përfundim, OVL-UÇK-ja i ka kërkuar komisioneres Marta Kos të angazhohet për drejtësi të paanshme dhe respektim të të drejtave të njeriut, si dhe të respektojë kompetencat e institucioneve të Kosovës./teve1.info/




