Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Osmani në ceremoninë e certifikimit të ushtarëve të rinj ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.
Derisa ka listuar disa nga pikat.
“Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, tha ajo.
Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së
Tutje presidentja e vendit tha se 325 ushtarët e rinj të FSK-së janë trashëgimtarë të UÇK-së.
“Jam krenare që ju sot do të mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë të FSK-së dhe duke filluar rrugëtimin tuaj plot sfida. Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme, për të fituar të gjitha betejat, në një rajon e botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të duhur profesionale dhe shërbim ndaj qytetarëve”, shtoi ajo.