Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Osmani këto aspirata të Kosovës, ia ka bërë të ditur gjatë takimit edhe ministres së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, e cila të premten ka zhvilluar vizitë zyrtare në Kosovë.
“Kosova është një vend modern evropian, demokratik dhe shumetnik që aspiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se meqë Belgjika e merr presidencën e BE-së më 1 janar 2024, ndaj Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE”, ka thënë Osmani, thuhet në komunikatë.
Osmani ka falënderuar Belgjikën për mbështetjen për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen e ofruar për anëtarësim në Këshillin e Evropës e në procesin e liberalizimit të vizave.
Gjithashtu, Presidentja Osmani përgëzoi shtetin e Belgjikës për ngritjen e nivelit diplomatik të marrëdhënieve ndërshtetërore me hapjen e Ambasadës në Prishtinë.
“Kosova është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, si dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.
Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata e Kosovës në Belgjikë luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në takim, Presidentja Osmani e ka informuar ministren Lahbib edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e 24 shtatorit të Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit./teve1.info/