Një person është gjetur pa shenja jete pasditen e së dielës në fshatin Godanc i Epërm, në komunën e Shtimes.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 15:15 nga një qytetar, i cili kishte njoftuar se një person ishte rrëzuar në tokë dhe kishte nevojë për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi emergjent nga Shtimja. Pas ekzaminimit nga mjekët, është konstatuar se personi nuk kishte shenja jete.
Viktima është identifikuar me inicialet L.V., 36 vjeç.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
“Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit dhe krimteknikët rajonal, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka deklaruar Veseli.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe informata shtesë do të bëhen publike në vijim.







