Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i identifikuar me inicialet E.A., nën dyshimin për transportimin e mbi gjashtë kilogramëve marihuanë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri ndodhet në paraburgim që nga 30 janari 2026, kur edhe dyshohet se e kreu veprën penale.
Sipas aktakuzës, më 30 janar, rreth orës 20:30, në autostradën “Arbër Xhaferi”, afër daljes në fshatin Doganaj, Policia ndaloi veturën e të pandehurit, ku gjatë kontrollit në bagazh u gjetën një çantë dhe një qese najloni me marihuanë.
Prokuroria ka bërë të ditur se substanca narkotike ishte e ndarë në 20 paketime dhe kishte peshë të përgjithshme prej 6 kilogramësh e 121.08 gramësh.
Prokuroria dyshon se i pandehuri e kishte transportuar substancën sipas udhëzimeve të dy personave të tjerë, të identifikuar me inicialet M.Q. dhe A.R. Sipas përshkrimit në aktakuzë, çanta dhe qesja me narkotikë ishin vendosur në bagazhin e veturës së tij nga persona të tjerë, të cilët më pas e kishin përcjellë deri në kyçjen në autostradë, në drejtim të Hanit të Elezit.
I pandehuri akuzohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë./teve1.info/







