Katër persona janë arrestuar sot për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.
“Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N. S. dhe D. S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale ‘vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M. P. Dhe G. B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’ nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.
Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen.
Në kuadër të procedurës penale, prokurori i çështjes ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë rrethanave të rastit.
Për vrasjen e Arlinda Zekajt janë arrestuar ish-bashkëshorti i saj dhe ish-kunati.
Rasti kishe ngjallur reagime të mëdha në vend dhe protesta për shkak se e ndjera kishte paralajmëruar për rrezikun në të cilën ndodhej.
Pas rastit u suspenduan kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Ndërkaq drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dha dorëheqje.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Peja, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë, nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj./teve1.info/








