Kryeministri në detyrë izraelit, Benjamin Netanyahu, ka filluar të dielën bisedime me të mandatuarin për formimin e qverisë së re, kreun e partisë Yashar, Gadi Eisenkot për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar.
Duke cituar partinë Yashar, faqja e internetit izraelite e lajmeve Ynet raportoi se të dy udhëheqësit po takoheshin në selinë ushtarake Kirya në Tel Aviv, me bisedime të ndara që po zhvilloheshin midis ekipeve negociuese të partive të tyre.
Takimi vjen pas një ftese nga Eisenkot të shtunën, pasi Netanyahu njoftoi se ishte i gatshëm ta linte Eisenkot të shërbente fillimisht si kryeministër sipas një marrëveshjeje rotacioni të propozuar, me Netanyahun që fillimisht do të shërbente si kryeministër alternativ.
Eisenkot tha se bisedimet duhet të bazohen në një propozim të detajuar politik që ai ia kishte dërguar Netanyahut një javë më parë përmes një kanali privat komunikimi të krijuar me kërkesë të Netanyahut, shkruan Anadolu.
Ai tha se ende nuk ka marrë përgjigje për çështjet e ngritura në propozim.
Mandati fillestar i Eisenkotit për të formuar një qeveri skadon më 6 dhjetor. Ai mund të kërkojë një zgjatje të vetme, 14-ditore nga Presidenti Isaac Herzog.










