Prishtina pritet të përfshihet nga një valë e të ftohtit ekstrem, me temperatura që mund të zbresin deri në -21 gradë Celsius gjatë natës mes 1 dhe 2 dhjetorit.
Sipas parashikimit të shërbimit meteorologjik britanik Met Office, të hënën, më 30 nëntor, temperaturat në kryeqytet pritet të arrijnë deri në -3 gradë gjatë ditës, ndërsa gjatë natës të zbresin në -15 gradë Celsius.
Të martën, më 1 dhjetor, parashikohet një temperaturë maksimale prej -3 gradë, ndërsa në orët e mbrëmjes pritet rënie deri në -19 gradë Celsius.
Temperaturat më të ulëta parashikohen për mëngjesin e së mërkurës, kur sipas Met Office mund të zbresin deri në -21 gradë Celsius.
Një situatë e ngjashme me temperatura kaq të ulëta në Prishtinë ishte regjistruar më 8 janar 2017. Sipas vjetarit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, atë ditë në stacionin meteorologjik të kryeqytetit ishin matur -24.5 gradë Celsius.
Ndërkaq, në aeroportin e Prishtinës, në të njëjtën ditë, temperatura kishte zbritur deri në -26 gradë Celsius, sipas të dhënave të Universitetit Shtetëror të Ajovës.
Sipas të dhënave të shqyrtuara nga Nacionale, 8 janari 2017 mbetet rasti i fundit i dokumentuar me temperatura të tilla në Prishtinë.
IHMK ka këshilluar qytetarët të vishen në mënyrë të përshtatshme dhe të shmangin qëndrimin e gjatë në të ftohtë, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit.




