Gjatë vizitës në Zagreb, të organizuar në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë, zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe delegacioni i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë, Komunës së Kamenicës dhe UNICEF-it në Kosovë, në krye me zëvendësshefin e Zyres së UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fisher, u mirëpritën nga sekretarja e shtetit në Ministrinë e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë të Republikës së Kroacisë, Zrinka Muzhiniç Bikiç.
Krahas takimit ndërmjet delegacioneve, ku u prezantua modeli i ofrimit të ushqimit në shkolla në nivel kombëtar që po zbaton Kroacia dhe u diskutua për praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra deri më tani, zëvendësministri Kryeziu dhe sekretarja e shtetit Bikiç zhvilluan një takim dypalësh. Në këtë takim u diskutua më gjerësisht për reformat në arsim, programin kroat të mësimit tërëditor në shkolla dhe planet e Republikës së Kosovës për zbatimin e mësimit tërëditor në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2035+, arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe mundësitë e reja për shkëmbime dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit.
Zëvendësministri Kryeziu e falënderoi sekretaren e shtetit Bikiç për mikpritjen, ndarjen e përvojave të Kroacisë dhe gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh.
Në kuadër të kësaj vizite studimore, delegacioni nga Kosova gjithashtu u prit dhe zhvilloi takime me përfaqësues të UNICEF-it në Kroaci, të Qytetit të Zagrebit, të Institutit Kroat të Shëndetit Publik dhe të Universitetit të Zagrebit. Për të parë nga afër se si ofrohet ushqimi për fëmijët dhe nxënësit, delegacioni vizitoi gjithashtu një çerdhe dhe një shkollë fillore në qytetin e Zagrebit.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës falënderon UNICEF-in në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme dhe organizimin e kësaj vizite të vlefshme studimore, përmes së cilës zyrtarët e Ministrisë dhe të Komunës së Kamenicës, përkatësisht të Drejtorisë së Arsimit, patën rastin të njihen me praktikat e mira të sigurimit dhe shpërndarjes së ushqimit në shkolla, të përcaktimit të vlerave ushqyese të vakteve që u shërbehen fëmijëve, si dhe të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.




