Ishte thirrur për orën 10:00.
Por këtë të premte seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës filloi me njëzet minuta vonesë. Megjithatë, seanca nisi me miratimin e deklaratës e cila kundërshton vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Foli nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati.
“Sot nuk mjafton vetëm të shprehim keqardhje apo solidaritet, është koha të ngremë zërin. Kuvendi i Komunës së Prishtinës u bënë thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që të mobilizohemi, të bashkohemi në protesta në sheshin e Prishtinës dhe Kosovës. Të dalim në protesta të flasim dhe ta bëjmë të qartë se historia dhe sakrifica e UÇK-së, nuk mund të trajtohet si një faqe që mund të rishkruhet sipas vullnetit të kujtdo. Kuvendi i Prishtinës përcjellë mesazhin e qartë të qytetarëve të saj ‘Jo ne emrin tim”, deklaroi Besianë Musmurati.
E disa ndryshime në këtë deklaratë kërkoi Lëvizja Vetëvendosje me asamblistin, Feim Osmani.
“Në këtë tekst do të duhet të bashkëngjitej edhe vendimi për dy komandantët e tjerë të UÇK-së, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën”, tha Osmani.
Me këtë kërkesë u pajtuan të gjithë kuvendarët.
Pajtohem plotësisht dhe duhet t’i shtojmë.
Një tjetër pikë që nxiti debat në seancë ishte propozim-vendimi për themelimin e ndërmarrjes publike “Pastrimi-Prishtina”.
“Kërkojë nga të gjithë ju anëtarë, kolegë që për të mirën e qytetit të themelojmë ndërmarrjen e re “Pastrimi-Prishtina”, që do t’i hyjë në punë qytetarëve dhe që do të menaxhohet nga Kuvendi i Prishtinës me 100 përqind të aksioneve, ashtu siç parashihen me ligj”, tha Leutrim Retkoceri, drejtor i shërbimeve publike.
Por themelimin e ndërmarrjes së re u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Është një tendencë me vazhdua klientelizimin e shpërfaqur nga PDK të shpërndarë në shumicën e ndërmarrjeve të kryeqytetit. Prishtina e ka ndërmarrjen e vet, kompania “Pastrimi”, i ka ndërpre pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera dhe mund të koncentrohet vetëm në Prishtinë. Se këta nuk e kanë për njëmend e dëshmon edhe fakti se në draft-buxhetin që kemi pranuar zyrtarisht, fare nuk kanë ndarë mjete as për pajisje, as për ndonjë proces tjetër. Këta po duam që me bankrotuar ndërmarrjen “Pastrimi”, që një pjesë të këtyre punëtorëve të dërgohen në ndërmarrjen e re”, deklaroi asamblisti Gëzim Sveqla.
Megjithatë, ishin shumica e asamblistëve që votuan për ndërmarrjen “Pastrimi-Prishtina”.
Ndërkohë, me disa ndryshime është miratuare rregulloja për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale. Aty u vendos të mos ketë tarifë për automjetet deri në 3. 5 tonë. Ndërsa për automjete mbi në 3.5 deri në 7.5 tonë, tarifa është 5 euro, kurse mbi 7.5 tonë tarifa është 10 euro.






