Përfaqësuesja e Zvicrës në futboll e luan ndaj SHBA-së miqësoren e fundit para ndeshjes kualifikuese me Kosovën.
Federata e Futbollit e Zvicrës ka njoftuar të martën se është aranzhuar miqësorja SHBA – Zvicër, që do të zhvillohet më 11 qershor në Tennessee. Më 7 qershor po në SHBA, Zvicra luan me Meksikën.
Meksika e SHBA-ja janë dy prej vendeve organizatore të Botërorit të vitit të ardhshëm, ku “helvetikët” synojnë të paraqiten.
“Do të luajmë ndaj dy nikoqirëve të Botërorit. Do të jetë inspiruese të shohim për herë të parë kushtet që janë atje. E shohim udhëtimin në SHBA dhe dy ndeshjet si motivim që të jemi në formën më të mirë për kualifikimet në vjeshtë”, ka thënë selektori i Zvicrës, Murat Yakin.
Më 5 shtator është ndeshja kualifikuese për Botërorin 2026 mes Zvicrës dhe Kosovës. Federata zvicerane ende nuk ka vendosur në cilin qytet do ta organizojë këtë ndeshje.