Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, akuzon kryeministrin Albin Kurti, për tensionim të situatës në vend.
Ai thotë se Kurti po krijon reagim ndërkombëtar dhe sipas tij, po mundohet të fitojë poena për shtensionim të situatës.
Mustafa thekson se Kurti s’mund t’i ikë zbatimit të marrëveshjes së njohjes reciproke me Serbinë, duke eskaluar situatën në veri.
Ai thotë se marrëveshja e Ohrit është më e rëndë se ajo e 2013-ës.
Ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, deklaron se nuk ka pasur nevojë që të tensionohet situata në veri të vendit dhe që kryetarët e komunave atje nuk kanë pasur nevojë të “instalohen në zyret e tyre me njësi speciale të Policisë”.
“Problemi është se zoti Kurti po tensionon situatën në veri, por jo vetëm veri po krijon një tensionim të situatës, po krijon një reagim ndërkombëtar lidhur me këtë dhe pastaj në një formë po dëshiron që të merr poenta për shtensionim, për një situatë që nuk ka pasur nevojë që të tensionohet, nuk ka pasur nevojë që të çohen gjitha ato forca policore në veri, nuk ka pasur nevojë që kryetarët e Komunave në veri të instalohen në zyret e tyre me njësi speciale të policisë, sepse nuk është Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për të vendos kryetarët e komunave në zyrë por kanë një rol tjetër, e tani çfarë do të thotë kjo është një çështje krejt tjetër”, thotë ai.
Ai potencon se kryeministri s’mund t’i ikë zbatimit të marrëveshjes së njohjes reciproke me Serbinë, siç nënvizon ai, përmes veprimeve të eskalimit të situatës në veri.
“Ka qenë e paraparë të bëhet një marrëveshje për njohje reciproke, një marrëveshje e fundit dhe e stabiliteti të sigurisë, themi e përkohshme që siguron një status quo që është bërë atje, por është bërë dhe është pranuar nga z.Kurti. Prandaj z.Kurti nuk mund të ikë zbatimit të kësaj marrëveshje përmes veprimeve të ndryshme të eskalimit të situatës në veri të vendit, çfarë ka bërë deri më tani”, nënvizon ai.
Lidhur me marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociacionit, të vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mustafa shprehet se dokumenti është bërë si obligim i tyre që të implementohet ligji për ratifikimin e marrëveshjes së parë, të vitit 2013, kur Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Tani unë jam shprehur edhe publikisht se sa i përket dokumentit të vitit 2015 unë e marrë përgjegjësinë, sepse s’e kemi bërë dokument pa vetëdije, dokumenti është bërë si obligim i yni që të implementojmë ligjin paratifikimin e marrëveshjes së parë. Sepse marrëveshja e parë e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, unë atëherë nuk kam qenë as kryeministër as nuk ka qenë deputet i kuvendit të Republikës së Kosovës, kam qenë kryetarë i LDK-së i një partie, e cila ka qenë në opozitë. Dhe në vitin 2015 unë e kam trashëguar detyrimin me ligj që qeveria duhet të implemetojë marrëveshjen në vitin 2013 dhe unë kam punuar që të gjejë dhe që me një alternativë të implementimit të asaj të atij ligji dhe asaj marrëveshje, prandaj ka lindur dhe ai dokument i vitit 2015 dhe nuk dua që kjo baza dhe zanafilla është në vitin 2013, aty është ratifikuar një marrëveshje me 2 /3 të deputetëve është ratifikuar me ligj dhe tani ndërkombëtarët thonë se ju me ligj e keni obliguar shtetin e juaj që ju të bëni asociacionin, por në atë periudhë nuk e kam bërë unë por e ka bërë qeveria e z.Thaçi, nuk të fajësojë atë qeveri, sepse nuk e ka bërë me dëshirë ose me qejf, por e ka pasi obligim ndërkombëtar”, thotë ai për KP.
Mustafa të rëndë e sheh edhe çështjen e pozitës se Kishës Ortodokse serbe, e cila është paraparë në pikën e shtatë të marrëveshjes së Ohrit.
“Çfarë është vet menaxhimi i komuniteti serb për mua është e paqartë, a është një lloj autonomie apo ai asociacion konvertuar në vet menaxhim por më shumë përngjan një lloj të autonomisë të qytetarëve serb në Kosovë se sa në një asociacion ose një bashkësi si në Zajednic siç e kanë quajtur Vetëvendosje dhe praktikohet akoma dhe kryetari i kuvendit të bëjë gjithmonë shërbehet me këtë shprehje jo me bashkësi dhe asociacion, sepse ju ka bërë ndërdyjë ajo, mendojë që është e rëndë edhe çështja e pozitës se Kishës ortodokse serbe e cila është paraparë në pikën e shtatë të marrëveshjes së Ohrit, por janë pranuar si të tilla si të implemtohen pa e dëmtuar në mënyrë qetësore shtetin dhe kushtutetshmërinë e vendit.”, nënvizon ai.
Lidhur me draft-statutin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për Asociacionin, ish-kreu i LDK-së thotë se ajo nuk ishte detyrë e Ramës, por e Kurtit.
Ai thotë se nuk mund të kritikohet kryeministri shqiptar për draft-statutin nëse qeveria nuk del me propozim të vetin.
“Unë jam i bindur se Rama se nuk e ka bërë kokë në vete edhe nuk është një dokument që Rama është ulur dhe e ka shkruajtur….Rama përpos asaj që ka dorëzuar te gjermanët-francezët do të thotë që nuk ka ecur më tutje dhe e ka lënë te disa institucione të Bashkimit Evropian. Prandaj, unë e kisha parë të nevojshme që këtë të bëjë qeveria e jo kryeministri i Shqipërisë, sepse po krijohen edhe relacione në opinion jo të mira edhe ndaj kryeministri Rama dhe Shqipërisë”, shprehet ai.