Disa persona janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët në Kosovë, me premtimin se do t’ua sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare.
Kështu bëri të ditur, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, teksa kanë thënë se informatat e qarkulluara s’janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit të pensionistëve.
“Ditëve të fundit, zyrat tona të pensioneve janë duke i frekuentuar një numër i konsiderueshëm i pensionistëve, me kërkesa për vërtetime apo vendime që dëshmojnë se të njëjtit janë përfitues të pensioneve! Sipas informatave që kemi siguruar, persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë qytetarët dhe përfituesit e skemave pensionale që informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Andaj, ministria u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes nga informatat e rreme, pasi mund t’u cenohet privatësia e të dhënave të tyre.
“Andaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, ftojmë përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre”, thuhet tutje.
Po ashtu, lidhur me skemat pensionale dhe përcaktimin e shumës së pensioneve, Ministria e Financave, kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës./teve1.info/.