Dy marrëveshje, një e vitit 2013 dhe tjetra e vitit 2014, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit mbi 11 milionë euro dëme. Marrëveshjet janë nënshkruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Kështu ka bërë të ditur auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Audimit, Vlora Spanca, në një konferencë për media, ku shpalosi rezultatet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditimit të Teknologjisë së Informacionit: “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” si dhe “Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SIMSF)”.
Spanca tha se për modernizimin e sistemit të edukimit në Kosovë është negociuar marrëveshja për kredi të butë dhe e cila duhet të paguhet deri më 30 shtator 2032. Vlera totale e saj është mbi 5 milionë euro.
“Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit Gjatë viteve 2013-2017, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka zhvilluar projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë, në vlerë prej 4,931,000 euro. Për zhvillimin e këtij projekti është negociuar marrëveshja për kredi të butë, përmes bankës austriake ‘UniCredit Bank Austria’, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale 5,637,519 euro (përfshirë kryegjënë, interesin, tarifat)”, tha Spanca.
Ndërsa për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik, Spanca tha se Ministria e Shëndetësisë nga viti 2013 ka investuar në digjitalizimin e menaxhimit të stokut farmaceutik në institucionet shëndetësore, për furnizim me barna dhe material shpenzues të listës esenciale dhe jo esenciale për pacientë. Megjithatë, sipas saj ka mangësi në shtrirjen dhe përdorimin e sistemit, si dhe në menaxhimin e qeverisjes së TI-së dhe sigurinë e të dhënave.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të zbatoj plotësisht Sistemi për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (FMSF) në të gjitha nivelet shëndetësore edhe pas investimeve mbi 6.1 milionë euro në shtrirje të infrastrukturës harduerike, që të mundësojë zbatimin e sistemeve të informacionit shëndetësor, përfshirë edhe SMSF-në. Sistemi SMSF nuk shfrytëzohet nga të gjitha njësitë shëndetësore dhe shumica e barnatoreve të reparteve të spitaleve dhe klinikave dhe Qendrave të Mjekesisë Familjare (QMF) nuk realizojnë transaksione në SMSF deri te dalja për pacient. Gjithashtu, MSh-ja dhe ShSKUK-ja nuk i kanë harmonizuar Procedurat Standarde të Operimit (PSO) me proceset e punës në SMSF. Kjo rezulton me menaxhim jo të mirë të stokut farmaceutik dhe në planifikim jo të mirë për alokimin e burimeve në blerjen e medikamenteve, vështirësi në monitorimin e Institucioneve Shëndetësore për shpenzimin e stokut dhe shfrytëzimin sa më racional të barnave dhe materialit medicinal të shpenzuar nga Institucion Shëndetësore”, u shpreh Spanca në një konferencë për media.
“Ministria ka mangësi në ndarjen e përgjegjësive për administrimin e SMSF-së duke krijuar konflikt të përgjegjësive dhe vështirësi në koordinim dhe komunikim. Kjo mosndarje e përgjegjësive ka shkaktuar konfuzion për përdoruesit e SMSF-së, ngecje në ofrimin e shërbimeve në kohë dhe rrezikon integritetin e informacionit shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të hartoj politikat dhe procedurat e TI-së, duke rrezikuar në mbrojtjen e aseteve të TI-së, si dhe besueshmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave të sistemeve të informacionit me rëndësi strategjike për MSh-në. Po ashtu, MSh-ja nuk zbaton kontrolle në menaxhimin e ndryshimeve në sisteme të informacionit. Si pasojë janë realizuar ndryshime pa testim dhe pa miratim nga personat e autorizuar, përpara zbatimit në mjedisin real. Kjo rrezikon të ketë ndryshime të paautorizuara ose aksidentale të cilat mund të kenë pasoja në funksionimin e sistemit”, deklaroi ajo.