Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Ministria e Mbrojtjes ka realizuar edhe blerje të armatimit për të cilat qytetarët nuk janë njoftuar publikisht, për shkak të ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe arsyeve të sigurisë.
Sipas Maqedoncit, projektet që lidhen me armatimin klasifikohen në bazë të legjislacionit në fuqi, ndërsa publikimi i tyre nuk varet vetëm nga institucionet e Kosovës, por edhe nga shtetet prej të cilave bëhen blerjet.
Ai theksoi se ekzistojnë blerje dhe sisteme të armatimit që tashmë janë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por që për to nuk është dhënë informacion publik.
“Blerjet që bëhen sidomos këto të armatimit, bëhen duke iu referuar një ligji që është për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Pra, këto projekte klasifikohen. Tash, të bërit publik, nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga shteti prej të cilit blejmë. Në ShBA, të gjitha blerjet që bëhen, pavarësisht çfarë sistemi ato publikohen në website e Departamentit të Luftës, por edhe në dokumente tjera në Kongres edhe në Senat. Pra, janë publike blerjet që bëhen. Tash kur publikohen në ShBA, s’ka më edhe kuptim që ne ta mbajmë të fshehur diçka që tashmë është publike në nivel global. Ka blerje, për të cilat qytetarët nuk kanë njohuri, mirëpo që i kemi bërë si Ministri e Mbrojtjes dhe ka sisteme të armatimit që i kemi brenda Ministrisë e FSK-së”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ministri shtoi se Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me komandantin e FSK-së, po punon vazhdimisht për të ruajtur balancën mes sekretit shtetëror dhe transparencës ndaj qytetarëve.
“Ne po japim informacion aq sa është i nevojshëm, pa e cenuar sigurinë. Sepse, në asnjë rast kur janë prezantuar këto pajisje si sistemi i armatimit apo municione – nuk janë dhënë të gjitha detajet e tyre”, deklaroi ai.
Ai theksoi se transparenca mbetet obligim institucional, por pa komprometuar aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. /teve1.info/




