Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka ngritur shqetësimin për furnizimin ilegal me armë në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet e sigurisë shtimin e kontrolleve dhe operacioneve për parandalimin e kësaj dukurie.
Maliqi këto deklarata i bëri në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ku u diskutua për masat që duhet të ndërmarrin institucionet për parandalimin e rasteve të vrasjeve, pas incidentit të sotëm në Suharekë, ku mbeti i vdekur një person.
Ai theksoi se posedimi i armëve pa leje vazhdon të jetë një problem shqetësues dhe se organet e sigurisë duhet të angazhohen më shumë për të parandaluar furnizimin ilegal të qytetarëve me armatim.
“Posedimi ilegal i armatimit dhe armatimi i qytetarëve në mënyrë ilegale ende është duke ndodhur. Prandaj, organet e sigurisë e kanë për obligim që të parandalojnë furnizimin e qytetarëve me armë ilegale, të cilat një pjesë e tyre po i përdorin, sikur në rastin e sotëm në qendër tregtare. Ai e ka përdorur një armë për të cilën me siguri nuk ka poseduar as leje”, ka deklaruar Maliqi.
Ai ka shtuar se në shumë raste të vrasjeve, pas konfiskimit të armëve, është konstatuar se të dyshuarit nuk kanë pasur leje për posedimin e tyre.
“Kjo do të thotë se armët janë duke ardhur në Kosovë ilegalisht dhe qytetarët e kanë mundësinë e blerjes ilegale, të cilat në shumë raste po i përdorin në vrasje. Në shumicën e rasteve që kanë ndodhur, kur është konfiskuar arma, ka rezultuar se personat nuk kanë pasur leje për një armë të tillë dhe e kanë siguruar në mënyrë ilegale”, ka theksuar ai.
I pyetur se sa është trajtuar ndër vite shqetësimi për armëmbajtjen pa leje, Maliqi ka thënë se Policia e Kosovës ka realizuar disa operacione të suksesshme për identifikimin e personave që janë marrë me futjen ilegale të armëve në vend.
“Herë pas here kanë qenë disa operacione mjaft të suksesshme të Policisë në identifikimin e personave të cilët kanë shfrytëzuar kanale ilegale për futjen e armëve prej vendeve fqinje në Kosovë, sidomos nga Shqipëria dhe Serbia”, ka deklaruar Maliqi.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se aksionet e tilla duhet të vazhdojnë dhe të jenë më të shpeshta, duke propozuar edhe kontrolle në hyrje të qyteteve.
“Nuk duhet ndalur me operacione të tilla, ato duhet të jenë më të shpeshta. Sidomos ka mundësi që pikat e kontrollit në hyrje të qyteteve të bëhen herë pas here dhe të ndalen qytetarët e të kontrollohen, sepse sikur të kishim kontrolle më të shpeshta të qytetarëve dhe bastisje për armatim ilegal, me siguri se do të ndikonte pozitivisht që qytetarët të mos bartin armatim të atillë”, ka përfunduar Maliqi./teve1.info/








