Autor: Unitet Berisha
Ky parking në këtë qendër tregtare në Suharekë duket se ka vende të mjaftueshme.
Por, ai doli të jetë shkaktar i një konflikti të çastit që përfundoi me vrasje.
Rrahman Hoti, duke shtënë disa herë në drejtim të Sylë Dukës, në sy të gruas dhe vajzës së mitur, e privoi nga jeta 59-vjeçarin.
Vrasësi, ani pse tentoi të fshihej, nuk ia doli. Ai u arrestua shpejt nga Policia e Kosovës.
“Menjëherë, në mënyrë profesionale, Policia e Kosovës ka zbatuar urdhrin operativ “Unaza e Çelikt”, duke bllokuar rrugët kryesore dhe dytësore në Suharekë, dhe pas një kohe të shkurtër është lokalizuar i dyshuari”, bëri të ditur zëdhënësi Shaqir Bytyqi.
Sipas Policisë, ndihma shpejt iu dha edhe viktimës, por pa rezultat.
“Policia ka thirrur ndihmën e shpejtë, emergjenca nga Suhareka ka arritur në vendin e ngjarjes, në gjendje të rëndë shëndetësore e kanë marrë, e kanë dërguar, po nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve”, tha Bytyqi.
Kështu thonë edhe nga Spitali Rajonal i Prizrenit.
“Nga ekipi i urgjencës nga Suhareka është sjellë një person i lindur në vitin 1967, i plagosur nga arma e zjarrit, pa shenja jete. Gjatë ekzaminimit janë konstatuar disa plagë në trup, të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pavarësisht përpjekjeve dhe masave të ndërmarra për reanimim kardiopulmonar (RKP), ato kanë rezultuar pa sukses dhe është konstatuar vdekja e pacientit”, thuhet nga Spitali Rajonal i Prizrenit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari Rrahman Hoti është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.







