Presidenti francez, Emmanuel Macron , ka sulmuar ashpër Donald Trump , duke thënë se ai po minon NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme në lidhje me angazhimin e tij” ndaj aleancës, shkruan gazeta Guardian.
Presidenti amerikan, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente përçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër letre” dhe duke kërcënuar se do të nxjerrë SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’i kushtuar vëmendje kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e udhëheqësve evropianë.
Macron paralajmëroi se komentet e Trump që vënë në pikëpyetje angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “shkatërrojnë vetë substancën e saj”, ndërsa u bëri thirrje udhëheqësve të “jenë seriozë”.
“Unë besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike”, tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.
“Nëse e vë në dyshim angazhimin tënd çdo ditë, ia shkatërron vetë thelbin.”
Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse do të jesh serioz, nuk duhet të shkosh andej-këndej duke thënë të kundërtën e asaj që the një ditë më parë .”
Ai komentoi poashtu mbi komentet e Trump se vendet evropiane duhet të shkojnë dhe ta hapin vet Ngushticën e Hormuzit me forcë, duke thënë se një kërkesë e tillë është “jorealiste”.
Macron tha se një gjë e tillë do t’i ekspozonte marinat ndaj sulmeve iraniane, dhe se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi.











