Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lansimin e Platformës “Super Puna” ka deklaruar se është titulli dhe zotimi i programit të Qeverisë.
Ai ka potencuar se Qeveria ka hartuar e përkrahur politika të cilat synojnë nxitjen e punësimit dhe qasjen më të lehtë në tregun e punës si dhe ka të bëjë edhe me drejtësi, sepse nevojitet drejtësi në qasje e trajtim në shoqëri.
Tutje, kryeministri ka deklaruar se lansimi i platformës “Super Puna” është angazhim i kamotshëm i ministrisë së Financave, Punës dhe Trasnfereve është njëkohësisht edhe konkretizim i përkushtimit të Qeverisë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e punëdhënësve tanë si dhe e shënon përmbushjen edhe të një tjetër premtimi për qytetarët e Republikës.
Kurti ka potencuar se “po ndërtojmë një fuqi punëtore të aftë, e cila do ta rrisë ekonominë e vendit”.
“Po vazhdojmë mbështetjen ndaj sektorit privat në angazhimin e fuqisë së re punëtore, e cila ka të gjithë potencialin që të bëhet motor i zhvillimit të këtij sektori. Rininë e kemi aset të së tashmes. E kemi edhe potencial të së ardhmes”, është shprehur kryeministri.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 Euro në lartësinë e pagës minimale që ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe atë për 6 muajt e parë të punësimit.
Sipas Kurtit, vitin e kaluar është zbatuar skema të cilët kanë pasur synim punësimin e grupeve të ndryshme shoqërore: gratë, personat me aftësi të kufizuara, e me familjet të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar, raporton teve1.info.
“Përmes masës 1.3 u punësuan afër 5000 gra e vajza. Përmes masës 1.6 u punësuan 239 persona me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përmes skemës “Qeveria për Familjet”, 770 familje u bënë me një anëtar të punësuar. Nga sot, po fillojmë pilotimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Qeveria synon të punësojë rreth 10 mijë të rinj brenda vitit të parë të lansimit të platformës “Super Puna”.
Murati ka bërë të ditur se punësimi i të rinjve do të bëhet përmes një platforme të automatizuar dhe të integruar me agjencionet përkatëse qeveritare si AShI-ja, ATK-ja dhe ARBK-ja.
Platforma do të jetë online dhe do të jetë e qasshme për bizneset që kanë nevojë për punëtorë, si dhe për të rinjtë që kanë nevojë për punë.
“Premtimi ynë ishte që për secilin të ri të moshës 18 deri 25 vjeç të ketë pra punën e parë të garantuar dhe të mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Dhe, ky premtim tanimë po zbatohet. Pilotimi i projektit do të jetë në mbështetje për gjashtë muaj për secilin të ri që punësohet në tregun e punës me subvencionimin e pagës minimale prej 264 euro”, tha ministri.
Murati tutje deklaroi se bazuar në testimin që është kryer deri më tash, bizneset janë interesuar që të dyfishojnë pagën minimale për punonjësit e rinj.
“Po ashtu, mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë, pra mbi shumën 264 euro, por aq sa kemi parë nga testimi ka shumë punëdhënës që janë të interesuar që të shtojnë, madje ta dyfishojnë këtë shumë të pagës”, tha ai duke shtuar se “synimi ynë është që përmes kësaj platforme, qysh në vitin e parë të kemi krijimin e deri në 10 mijë vende të reja të punës për grupmoshat e reja nga 18 deri në 25 vjeç”, potencoi Murati.
Ministri ka thënë se kushti për bizneset është që punonjësit e rinj të kenë pagë minimale në vlerë prej 264 euro, të cilën e subvencionon të plotë Qeveria.
Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, Murati ka publikuar linkun, ku përmes tij mund të aplikojnë të rinjtë e moshës 18 deri 25 vjeç. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje tek bizneset që të përfitojnë nga kjo mundësi, dhe të shpallin pozitat e lira përmes platformës “Super Puna”.