Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se gjatë vizitës në Portugali është diskutuar mundësia e një linje direkte ajrore ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimi me Bruno Vitorino, Kryetar i Grupit të Miqësisë Portugali–Kosovë, si dhe me deputetët Edite Estrela, José Dotti dhe Miguel Costa Matos, Kusari-Lila ka bërë të ditur se është disktuar poashtu për organizimin e Forumit të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë vitin e ardhshëm dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bilaterale për Bashkëpunim Ekonomik.
“Vëmendje të veçantë i kushtuam bashkëpunimit ekonomik, ku diskutuam për organizimin e Forumit të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë vitin e ardhshëm dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bilaterale për Bashkëpunim Ekonomik. Gjithashtu, trajtuam rëndësinë e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, e cila do të lehtësonte lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe do të kontribonte në zhvillimin e turizmit. U theksua edhe rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë së informacionit”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka thënë se përmes këtyre iniciativave synohet ofrimi i kompanive portugeze me tregun dhe potencialin e Kosovës, ndërsa bizneseve kosovare t’u krijohen mundësi të reja për të depërtuar në tregun portugez.
“Besojmë se Kosova dhe Portugalia kanë shumë për ti ofruar njëra-tjetrës dhe se forcimi i lidhjeve tona politike, institucionale dhe ekonomike do të hapë mundësi të reja për të dy vendet”, ka thënë Kusari-Lila.







