Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, ku ka kërkuar që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka theksuar se Kosova ka funksionalitet demokratik, stabilitet institucional dhe rritje ekonomike, duke nënvizuar se vendi duhet të avancojë në rrugën drejt integrimit evropian.
“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Ai ka bërë të ditur se do ta ngrejë këtë çështje para liderëve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar që Komisioni Evropian të japë opinionin e tij për aplikimin e Kosovës.
“Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, është shprehur Kurti.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ku diskutohen bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.







