Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 12 kamionë ushtarakë Unimog 5T, 4×4, të prodhuar nga Mercedes-Benz, ndërsa dhjetëra automjete të tjera pritet të arrijnë gjatë vitit 2027.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar për furnizimin e FSK-së me automjete të reja për transport dhe mbështetje logjistike.
Sipas Kurtit, 12 kamionët e rinj Unimog i janë shtuar flotës prej 15 kamionësh Rheinmetall. Ndërkohë, ditë më parë kanë arritur edhe tetë kamionë të tjerë KX 8×8, të blerë nga kompania Rheinmetall.
Me këto prurje, numri i kamionëve të dy kategorive arrin në 35 automjete.
“Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se kamionët Unimog 5T janë të projektuar për lëvizje në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore. Ndërkaq, kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 synojnë të rrisin kapacitetet transportuese të FSK-së dhe të forcojnë mbështetjen logjistike.
Sipas kryeministrit, modernizimi i një force ushtarake nuk përfshin vetëm armatimin dhe pajisjet luftarake, por edhe kapacitetet për lëvizje, furnizim dhe operim efikas.
“Këto investime janë pjesë e angazhimit tonë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka deklaruar Kurti.
Në postimin e tij, kryeministri ka përmendur edhe zhvillimet në zgjerimin e personelit të FSK-së. Sipas tij, të premten e kaluar u betuan 515 rekrutë të rinj, ndërsa në fillim të kësaj jave nisën trajnimin edhe 209 rekrutë të tjerë.







