Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka deklaruar se procesi i Apelit ndaj vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së mund të mos nisë para dy vitesh.
Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, Kulla ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, përfundimi i procesit nuk pritet para vitit 2029, ndërsa ka paralajmëruar se procedurat mund të zgjasin edhe më shumë.
“Tani është moment që ta lënë politikën mënjanë dhe të krijojnë një unitet për t’i dhënë mundësinë mbrojtjes së tyre, e cila në një formë është edhe mbrojtje e Kosovës, përveçse e UÇK-së, në gjykimin që do të vijojë në Apel. Ka kohë. Unë nuk mendoj që do të ketë fillim të gjykimit në Apel më herët se dy vjet”, ka deklaruar ai.
Ai ka treguar se edhe më herët kishte paralajmëruar se procesi mund të mos përfundonte para vitit 2029.
“Madje kemi qenë këtu në studio kur më ka shkruar njëri nga grupi i avokatëve të Hashim Thaçit dhe të kam thënë që kjo punë, në të gjitha rastet, nuk përfundon para vitit 2029. Dhe ja ku erdhëm: 2029-ta është më e afërta, ndërsa mund të jetë edhe më vonë”, ka thënë ai.
Kulla ka bërë gjithashtu thirrje për uljen e tensioneve politike në Kosovë dhe për një qasje më të unifikuar lidhur me proceset në Hagë.
Sipas tij, përplasjet politike në Kosovë mund t’i shërbejnë interesave të Serbisë.
“Prandaj them që, mbi të gjitha, është një moment kur duhet të relaksohen ujërat, palët dhe duhet të kuptojnë që Serbia me zor po e pret këtë ditë që shqiptarët të hanë kokat e njëri-tjetrit, në mënyrë që të arrihet ai që është objektivi kryesor i Serbisë, pra zhbërja e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Kulla.
Ndryshe, më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet.
Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin./teve1.info/







