Thirrjeve të IKSHPK nuk po i binden një numër i prindërve.
Vaksinimi i fëmijëve me vaksinën kundër fruthit, pavarësisht se është obligim ligjor, nuk po praktikohet nga disa prej tyre.
Madje ata nuk hezitojnë të paraqesin edhe qëndrimin e tyre nëpër komente në rrjete sociale.
“Çdo prind ka të drejtë të vendosë për fëmijën e vet; sa më përket mua, unë zgjedh të mos e aplikoj këtë vaksinë.
Po ku ka vaksina fal bre. Po këto janë helme e efektet po shihen mas do vjete”.
Këto janë vetëm disa prej komentet e personave që po kundërshtojnë një gjë të tillë.
Por si pasojë e mosvaksinimit të fëmijëve, së fundmi janë paraqitur disa raste të fëmijëve të infektuar me fruth.
Madje disa është dashur të kërkojnë trajtim në Klinikën Infektive.
“Për momentin në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar pesë raste, përfshirë edhe rastin i cili është kthyer nga mjekimi intenziv ku ka qenë për disa ditë për shkak të një komplikimi të rëndë nga sëmundja ku tash për tash kemi pesë raste”, thotë drejtoresha e Infektivës, Vera Berisha-Ndrejaj.
Por pas këtyre rasteve, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, janë rritur rastet e prindërve që kanë sjellë fëmijët e tyre për vaksinim.
“Me paraqitjen e rasteve të fruthit, edhe në Qendrën tonë vërehet një fluks shumë më i madh i prindërve me fëmijë të cilët i sjellin fëmijët me marrë vaksinën MMR. Derisa deri para pak kohësh numri mesatar i fëmijëve që e kanë shtyer vaksinimin ka qenë 2-3 fëmijë, ditëve të fundit kemi me mbi 18 raste në ditë”, thotë mjeku familjar, Mustafë Gashi.
Mjeku familjar, Mustafë Gashi ka treguar për rreziqet që vijnë nga fruthi.
“Fruthi është sëmundje që nuk atakon lëkurën pasi lëkura është vetëm në lëkurë, por atakon drejt organizimin duke filluar prej rrugëve të sipërme të frymëmarrjes pastaj rrugët e poshtme të frymëmarrjes, mushkëritë që mund të shkaktoj ndezje të mushkërive e që është fatale për fëmijë. E poashtu infeksion në terë trupin sidomos në sistemin trunor”, tha ai.
Se cila është rëndësia e vaksinës kundër fruthit tregon infektologu Hamdi Ramadani.
“Është vaksinë që 60 vite e përdorur në nivel botëror, dhe është vaksina më e mirë në infektologji dhe në shkencë që deri me tash edhe ka bo mbrojtje të saj dhe solide ndaj kësaj sëmundje të keqe dhe të rëndë dhe e ka ulur shkallën e sëmundshmërisë”, tregoi ai.
Doza e parë e kësaj vaksine jepet në moshën 12 muajshe, kurse doza e dytë jepet para fillimit të shkollës (5-6 vjeç).






