Kosovarët nuk e kanë frikën të ecin vetëm natën në rrugë.
Kështu të paktën kanë deklaruar të anketuarit në kuadër të raportit për siguri globale nga Instituti Ndërkombëtar Gallup.
Madje sipas këtij raporti, në bazë të perceptimeve të qytetarëve, Kosova renditet si vendi i pestë në Evropë më i sigurti, me gjithsej 90 pikë në perceptimin e sigurisë dhe besimit në rendin dhe ligjin.
Para saj janë Islanda, Zvicra, Lituania dhe Norvegjia, ndërsa në nivel botëror, Kosova është e 14-ta.
Por sipas kriminologut, Armend Halimi, ky raport vetëm pasqyron perceptimet e qytetarëve.
“Raporti nxjerrët vetëm nga anketimi, jo nga gërshetimi i të dhënave zyrtare, sikurse bëjnë Komisioni Evropian ose raportet tjera. Andaj ne mendojmë që një pasqyrim më i mirë i sigurisë njerëzore, gërshetimi dy burimeve së paku”, thotë Armend Halimi-kriminolog.
E sipas ekspertes së sigurisë, Dita Makasqi, ky është një raport pozitivë për vendin por kjo nuk do të thotë se në Kosovë nuk ka kriminalitet.
“Dëshmon se qytetarët kanë një nivel të lartë të ndjenjës së sigurisë në jetën e tyre të përditshme. Megjithatë vlen të theksohet se perceptimi i sigurisë nuk nënkupton mungesën e kriminalitetit, por ajo pasqyron mënyrën se si qytetarët e perceptojnë sigurinë në mjedisin ku jetojnë”, shprehet Dita Makasqi-eksperte e sigurisë.
Por cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e sigurisë së qytetarëve në vend?
“Nëse i referohemi Gallup, ajo ka marrë dy indikator, sundimin e ligjit, rendit pra kënaqshmërin e qytetarëve ndaj institucionit të sigurisë, më këtë rast policisë, si dhe lëvizjet e sigurt, sidomos gjatë natës. Në qytete siguria është më e lartë për shkak të koncetrimit të policës në qytete, si dhe mbikëqyrjen elektronike përmes kamerave. Ndërsa në viset rurale karakterizohet në mungesë të gjitha këtyre”, vlerëson Halimi.
“Prania dhe puna e institucioneve të sigurisë, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë, lidhjet e forta familjare e komunitare si dhe kontrolli social joformal”, thotë Makasqi.
Rreth këtij raporti ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sfeçla, i cili tha se ky vlerësim vjen si rezultat i punës profesionale dhe të koordinuar të institucioneve të sigurisë.






