Kosova është pranuar zyrtarisht në Rrjetin për Shkollat e Sigurta, një platformë ndërkombëtare që promovon mjedise të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbrojtëse për të gjithë nxënësit dhe stafin arsimor. Akti u bë zyrtar me deponimin e instrumentit të aderimit tek Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë.
Ministria e Jashtme dhe Diasporës ka thënë se anëtarësimi në këtë organizatë forcon angazhimin e Kosovës për të mbrojtur institucionet arsimore nga dhuna.
“Anëtarësimi në këtë rrjet ndërkombëtar forcon angazhimin e Kosovës për të mbrojtur institucionet arsimore nga dhuna, konfliktet dhe kërcënimet, si dhe për të siguruar që çdo fëmijë të ketë qasje në arsim të sigurt dhe cilësor. Po ashtu, ky anëtarësim e vendos Kosovën ndër vendet që kontribuojnë aktivisht në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së arsimit në kohë krize”, thuhet nga MPJD.
Safe Schools Declaration (SSD), u themelua në vitin 2015 me nismën e qeverive të Norvegjisë dhe Argjentinës, si një angazhim politik ndërkombëtar për të mbrojtur arsimin nga efektet e konflikteve të armatosura. Ajo synon të sigurojë që shkollat dhe universitetet të mbeten hapësira të sigurta ku nxënësit dhe mësuesit mund të vazhdojnë arsimin pa frikë nga sulmet apo përdorimi ushtarak.
Deklarata inkurajon shtetet që ta integrojnë mbrojtjen e arsimit në politikat kombëtare, të parandalojnë përdorimin ushtarak të objekteve arsimore, të mbledhin të dhëna mbi sulmet ndaj arsimit dhe të ndihmojnë viktimat në mënyrë të barabartë. Deri më sot, 121 shtete i janë bashkuar kësaj nisme, duke e bërë atë një nga instrumentet më të rëndësishme ndërkombëtare për mbrojtjen e arsimit në kohë konflikti.
Sipas MPJD-së, ky pranim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e standardeve të sigurisë në institucionet arsimore të vendit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe rritjen e cilësisë së arsimit.
“Përmes anëtarësimit, Kosova do të ketë mundësi të shkëmbejë praktika të mira me vendet e tjera, të përfitojë nga ekspertiza ndërkombëtare dhe të zbatojë politika të bazuara në standarde globale, duke përfshirë planet e reagimit ndaj emergjencave, zhvillimin e protokolleve të sigurisë, trajnimin e stafit dhe përfshirjen e komunitetit në mbrojtjen e shkollave”, thuhet nga MPJD.







