Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos ka thënë se në bllok ka konsensus për zgjerim dhe se kjo duhet të shfrytëzohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të kundërtën, ajo nënvizoi se kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Në hapje të Samitit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes në Shkup, Kos foli edhe për Kosovën dhe nevojën për formimin e qeverisë së re.
Ajo iu referua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se ka shpenzuar shumë energji për procesin e integrimit evropian dhe se tani nevojiten institucionet e reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në anën tjetër, Kos lavdëroi Shqipërinë, duke thënë se ka bërë zhvillim të dukshëm në hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE.
“Ka një konsensus për zgjerim shtesë në të ardhmen, nuk ishte kështu në të kaluarën. Ju keni rastin që patjetër duhet të shfrytëzohet pasi kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe shoh zhvillim të dukshëm. Shqipëria, i nderuar zotëri Rama, hapët tre kapituj në tre muajt e fundit dhe ju faleminderit që ndikuan në procesin e zgjerimit dhe nëse vazhdojmë kështu do t’i hapim të gjithë kapitujt këtë vit. Mali i Zi mbylli të premten një kapitull. Bosnjë dhe Hercegovina miratoi agjendën e reformave, ndërkaq presim që të themelohet qeveria e re në Kosovë. Zotëri Kurti ju keni shpenzuar shumë energji në procesin e aderimit. Në Serbi shpresoj që do të mund të shkojmë më tej, por ky është proces zgjerimi”, tha ajo.
Kos, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tha se pret zbatim të reformave për marrjen e fondeve të unionit.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata.
“Ne kemi ardhur për t’iu ndihmuar dhe duam t’iu shpërblejmë për punën që deri tani keni bërë. Mund t’iu japim mjete kur të zbatoni reforma. Andaj prej zhvillim të prekshëm para takimit tonë të radhës të liderëve. Do të bëjmë pagesën e raundit të parë të raportimit dhe fondet do të jenë 50 për qind dhe do të shkojnë në kornizën negociuese për Ballkanin Perëndimor. Këto do t’iu ndihmojnë të ndërtoni rrugë, hekurudha, parqe diellore dhe infrastrukturë digjitale. Kjo i duhet çdo ekonomie konkurruese. Zhvillimi dhe rritja është në duart e juaja”, theksoi ajo.
Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën në vlerë prej 61 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani./kp