Inspektorati i Mjedisit gjobit me 5 mijë euro Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës për moskryerjen e detyrave ligjore lidhur me menaxhimin e mbeturinave.
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ka bërë të ditur se Inspektorati i Mjedisit ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurosh ndaj Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit të ministres, gjoba është shqiptuar për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore që lidhen me mbeturinat vëllimore dhe deponitë e dheut.
Gjatë inspektimit në deponinë e dheut të N.P.L. “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth saj, janë konstatuar mbeturina vëllimore jashtë zonës së përcaktuar për deponi.
Pacolli ka bërë të ditur se, pavarësisht njoftimeve të përsëritura, Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për trajtimin e problemit.
Ajo ka theksuar se institucionet publike duhet të japin shembull në mbrojtjen e mjedisit dhe të mos neglizhojnë përgjegjësitë ligjore për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave.
“Ligji vlen për të gjithë njësoj!”, është mesazhi i ministres Pacolli lidhur me këtë rast./teve1.info/




