Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet, Shkëlzen Komoni, ka deklaruar se subjekti i tij politik do të dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Komoni ka thënë se në takimet dhe tubimet që AAK-ja po zhvillon me qytetarët po vërehet një disponim pozitiv për ndryshim.
“Në tubimet që i kemi pasur me qytetarë deri tani ka një disponim të mirë për një ndryshim. Brenga e të gjithë qytetarëve është polarizimi i shoqërisë dhe nxitja e urrejtjes ndaj brezit të ri. Mendoj që AAK-ja në këto zgjedhje të 7 qershorit do të jetë fituese, në aspektin e rritjes së partisë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Bazuar në terrenin dhe disponimin e qytetarëve në vendet që po i vizitojmë, ka një disponim pozitiv dhe shumë ankesa, sidomos për polarizimin e shoqërisë”, ka thënë ai.
Duke folur për fushatën zgjedhore, Komoni ka vlerësuar se vendi po përballet me një polarizim të theksuar politik dhe shoqëror.
Sipas tij, gjuha e urrejtjes që po përdoret gjatë fushatës është shqetësuese dhe duhet të marrë fund.
“Gjuha e urrejtjes gjatë fushatës është një gjë negative, sepse ne e kemi arritur pavarësinë me sakrificë, diplomaci të mirë dhe unitet. Tashmë uniteti në popullin e Kosovës nuk ekziston për shkak të polarizimit të skajshëm dhe kjo duhet të zhduket. Duhet të zhduken edhe akuzat dhe kërcënimet që bëhen në rrjetet sociale. Duhet të punohet edhe në legjislacion. Ata që përdorin terma më të ashpër dhe që krijojnë zhurmë, i ikin zgjidhjes së problemeve”, ka theksuar Komoni./teve1.info/







