Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq sërish e ka kërcënuar Kosovën.
Kësaj radhe, pas arrestimit të zëvendësdrejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, i cili në Rahovec e quajti UÇK-në organizatë terroriste.
Kërcënimeve të Vuçiqit, iu përgjigj drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, nuk është që gjithmonë kanë qenë apo fare herë kanë qenë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë edhe po ashtu situata e sigurisë së Kosovës është e qetë dhe stabile përveç pjesës së Veriut, ku vazhdon të jetë e brishtë për shkak të veprimeve të politikës që shpeshherë qeveria e Serbisë, përveç grupeve të ndryshme kriminale, ekstremiste e terroriste i shkakton në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Në anën tjetër, njohës ushtarak vlerësojnë se këto deklarata të presidentit serb, nuk përbëjnë rrezik.
“ Unë nuk shoh ndonjë rrezik absolutisht por gjitha këto manovrime Serbia që është duke i bërë, është duke i bërë për dy arsyeje: sepse Rusia e ka si satelitet për destabilizim të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi Serbinë, dhe për konsum të brendshëm që është duke u munduar që sa më gjatë të mbanë karrigen e vet stabile vet presidenti Vuciq”, ka thënë Kastrati.
Por sipas Kastratit, Qeveria dhe Presidentja duhet të thirrin mbledhje të Këshillit të Sigurisë, meqë sipas tij, lufta hibride është intensfikuar karshi Kosovës.
“Duhet qeveria dhe presidentja ta thërrasin një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ta bëjnë një strategji të luftimit të luftës hibride. Sepse, lufta hibride nuk është vetëm futja e njerëzve por ka shumë drejtime; informimi i gabuar, kemi rastin e arrestimit të shpihunëve kemi shpihun në të gjitha nivelet të gjitha strukturat. Kom frikën që ka brenda Qeverisë, brenda Policisë që e pamë me togerin e fundit, kemi brenda ushtrisë”, është shprehur tutje Kastrati.
Ditë më parë në konferencë për medie, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kërkoi Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë të reagojnë pas deklaratave kërcënuese të Vuciq.
Tëvë1 ka dërguar pyetje në Ambasadën Amerikane, Bashkimin Evropian dhe Departamentin e Shtetit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.