Analisti politik Afrim Kasolli ka thënë se koha kur është marrë vendimi për subvencionimi e linjave ajrore për mërgimtarët nuk mund të mohohet si fakt se është bërë për të përfituar në votë.
Ai ka thënë se edhe pse vendimi vlen për muajt pas përfundimit të votimit, kur bëhet i ditur në kohë fushate është nxitur mbi kalkulime.
“Koha kur është marrë ky vendim, pak ditë para nisjes zyrtare të fushatës dhe meqë jemi në një parafushatë, nuk mund të zhvishet nga dimensioni politik dhe të mohohet fakti se ky vendim si i tillë është nxitur nga kalkulime për të përfituar elektoralisht nga mërgimtarët tanë. Qeveria e Kurti vazhdimisht i ka përdorur subvencionet dhe skemat sociale, sa i përket ndarjeve buxhetore, ndaj interpretimi i tyre se nuk po bëjnë diçka të jashtëzakonshme, por vetëm janë duke e vazhduar atë praktikë të deritanishme nuk mund të mohohet. Mirëpo ky vendim kur kumtohet pak para zgjedhjeve, është nxituar mbi kalkulimet për ta transmetuar mesazhin te diaspora se kjo Qeveri përkujdeset edhe për mërgatën”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas akuzave se ndarja e 2 milionë eurove për subvencionim e linjave ajrore për mërgimtarët është bërë për blerje votash.
Sipas tij, një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm për shkak rrezikut të anulimit të fluturimeve që lidhen me ANP “Adem Jashari” dhe kjo sipas tij do të ndikonte që shumë mërgimtarë të mos mund të vinin në Kosovë.
Kurti: Subvencionimi i linjave ajrore për mërgimtarët s’është blerje votash




