Me vetullat herë-herë të rrudhosura – që ndër vite ia kanë lënë si gjurmë të përhershme tri vija në ballë – Kaltrina ka vendosur të flasë për pjesën më të errët të jetës së saj, pas 11 vjetësh heshtjeje.
Kjo histori nis kur ajo ishte 27 vjeçe. Atëkohë, Kaltrina – emër i vendosur nga redaksia e REL-it për ta ruajtur anonimitetin e saj – takoi një djalë me të cilin ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale. Rreth dy vjet më vonë, ata u martuan.
“Viti i parë shkoi mirë. Ka dalë, por kthehej pas dy-tri orësh, katër-pesë orësh. Ka dalë e është kthyer. [Më thoshte] kam qëndruar te një shok. Më shkonte në mendje që po ndodhte diçka, por atëherë i besoja”, thotë Kaltrina, tani 40 vjeçe.
Ajo mban mend se kur filloi të nuhaste se bashkëshorti po e tradhtonte, ai filloi të bëhej më agresiv. Kaltrina thotë se ai sillej në këtë mënyrë edhe në prani të dy fëmijëve të tyre.
“Fëmijët nuk kanë sherr. Kur ka bërë zhurmë, më ka goditur… çika më rrinte mbi gjoks, nuk hante bukë. [Bashkëshorti] më ka gjuajtur me gotë, me pjatë… Gjithherë jam larguar, ia kam lëshuar rrugën”, kujton Kaltrina.
Por, pas gati 11 vjetësh martesë, Kaltrina vendosi në fund të gushtit ta raportonte dhunën në familje në Policinë e Kosovës. Vendimin e mori pas një mesazhi që kishte marrë nga bashkëshorti i saj.
“Ia nisi duke sharë, më tha ‘kur të vij, do të të vras’. Edhe më s’guxova të pres. E mora rrugën të dal prej shtëpisë. Veç bëra ‘bismilah’ dhe thashë ‘Oh Allah, ndihmona të gjithëve’”, thotë Kaltrina.
Kur arriti në njërin stacion të Policisë së Kosovës në Prishtinë, ajo rrëfeu gjithçka.
“Unë kam thënë që e kam vështirë derisa të dal prej shtëpisë se, kur të dal, pastaj nuk e kthej kurrë më kokën. Atë minutë që e merr vesh familja ime [për dhunën], unë do të dal prej shtëpisë dhe mos prit që do të ta fal. S’mund të kthehem hatri i askujt”, thotë 40-vjeçarja.
Tani, ajo ka rreth dy javë që ndodhet në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.
Në këtë qendër strehohen viktimat e dhunës në familje. E, në bodrumin e kësaj ndërtese tani ndodhet shtëpia e re e përkohshme e Kaltrinës dhe fëmijëve të saj.
Në një dhomë të gjatë e të ngushtë ndodhen disa shtretër, ndërsa hapësira ngjitur saj shërben si kuzhinë. Kaltrina aty gatuan ushqimet për fëmijët e saj, kurse në një dhomë tjetër bën punëdore me një makinë qepjeje.
Dy fëmijët, nëntë dhe 11 vjeç, luajnë në oborrin e qendrës, ndërsa flasin edhe për momentin kur do të dalin nga aty. Ata shpresojnë që së shpejti do të shkojnë te familja e nënës së tyre për ta vazhduar shkollimin atje.
“Kam vendosur të kthehem te shtëpia e familjes sime sa ta marr veten. Vëllai im më ka thënë ‘mos i merr as teshat oj motër se do të t’i blej edhe më të mira’. Por, unë nuk dua t’i gëzojë askush tjetër ato”, thotë Kaltrina.
Kaltrina kishte tentuar ta raportonte dhunën në familje edhe një herë tjetër, në dhjetor të vitit 2021. Por, vjehrri i saj e kishte bindur të kthehej prapa. Këtë herë, Kaltrina shprehet e bindur se askush nuk do të kishte mundur ta ndalte.
“Më së miri ai rrugën e vet, unë timen. Tash normalisht që nuk e kam të lehtë derisa të adaptohem, por kur e di se çka më ka bërë, e di që do të më largohet shumë shpejt nga mendja. Shumë e kam duruar, por Zoti është i madh, asnjë minutë më…”, thotë Kaltrina.
Kur shtrihet për të fjetur natën, pranë fëmijëve të saj, ajo tenton të mendojë për një të ardhme më të mirë, se si do të punojë dhe do të sigurojë kushte më të mira jetese për fëmijët e saj.
Por, e rrethuar nga punime të bëra nga gra që kanë pasur fat të ngjashëm me të, Kaltrinën shpeshherë e mposhtin kujtimet e hidhura.
“Ndodh që deri në 3 të mëngjesit nuk më merr gjumi. Më kujtohet që shumë kam qëndruar me një person që s’duhet. Më ka bërë zullum, por e kam mbrojtur shkaku i fëmijëve. Kam dalë e kam fshirë [nëpër shtëpi] për bukë të gojës edhe m’i ka marrë paratë për të dalë, nuk kthehej krejt natën”, thotë ajo.
Kaltrina nuk është gruaja e vetme në këtë qendër. Elmedina Sejdiu, punëtore sociale në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, tregon se numri i viktimave të dhunës në familje që strehohen aty, arrin deri në 200 brenda vitit.
Në Kosovë janë gjithsej tetë qendra për strehimin e viktimave të dhunës në familje.
Ato mund të qëndrojnë atje deri në gjashtë muaj, me mundësi të zgjatjes së qëndrimit në raste të caktuara, dhe pastaj duhet të bëjnë zgjidhje vetë.
Këshilli i Evropës e definon dhunën në familje si “të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë familjare ose midis ish-bashkëshortëve ose partnerëve të mëparshëm ose aktualë, pavarësisht nëse autori ka ose jo të njëjtin vendbanim me viktimën”.
Numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është rritur gjatë viteve të fundit, sipas statistikave të dhëna nga Policia e Kosovës. Shumica e të mbijetuarve të dhunës në familje, mbi 80 për qind, janë gra.
Numri më i madh i rasteve të dhunës në familje është raportuar në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Sejdiu, e cila ka punuar me të mbijetuar të dhunës në familje për më shumë se pesë vjet, thotë se ky trend në rritje nuk do të thotë që po shtohet dhuna në familje, por se po rritet vetëdijesimi që kjo dhunë duhet të raportohet.
“Një jetë e kemi dhe nuk ia vlen ta jetojmë në një ambient toksik. Para disa vjetësh kanë qenë më problematike kushtet ose përkrahja, mirëpo tash ekziston një përkrahje më e madhe për të mbijetuarat e dhunës në familje”, thotë Sejdiu.
[Keq]reagimi institucional ndaj dhunës në familje
Edhe pse thotë se tani të mbijetuarit e dhunës në familje kanë përkrahje më të madhe se në të kaluarën, Sejdiu kujton të ketë dëgjuar edhe histori që tregojnë të kundërtën. Megjithatë, ajo i vlerëson këto raste si përjashtime.
“Një grua ka thënë që e kanë keqtrajtuar shumë policët, i kanë bërë presion, e kanë mbajtur disa orë me shpresën se mos po kthehet te burri. Madje, po më kujtohet fjalia e saj ‘kurrgjë s’më ka bërë burri, çka më ka bërë polici në stacionin policor’”, kujton Sejdiu.
Por, sipas një raporti të publikuar në gusht nga organizata ndërkombëtare Amnesty International, rastet e tilla nuk janë të rralla. Aty thuhet se policët “i kanë bërë [viktimat] të ndihen në faj, ose kanë tentuar t’i dekurajojnë ato nga raportimi i rastit, ose i kanë fajësuar për dhunën e përjetuar”.
Në raportin e Amnesty International ngrihen si probleme edhe disa çështje të tjera, si: qasshmëria në qendrat e strehimit vetëm për të mbijetuarit që janë të gatshëm ta raportojnë rastin e tyre në Policinë e Kosovës, dënimet e ulëta për kryesit e krimit, mungesa e dëmshpërblimeve për viktimat dhe cenimi i privatësisë së tyre.
Në një raport të publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politikë (GLPS) më 7 shtator, janë identifikuar edhe disa probleme brenda sistemit të drejtësisë sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim me gjobë dhe deri në tre vjet burgim, por GLPS-ja – që analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës – gjeti se shumë pak të akuzuar dënohen me burgim.
Paraburgimi mbetet masa më e shpeshtë.
Këshilltari i lartë në Ministrinë e Drejtësisë (MD), Genc Nimoni, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka pranuar se MD-ja ka hasur në vështirësi të shumta, por ka shtuar se “ajo ka ndërmarrë veprime konkrete, të cilat kanë synim dhe qëllim trajtimin, fuqizimin dhe risocializimin e viktimave të dhunës në familje”.
Ai ka përmendur hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave për vitin 2022-2026 dhe miratimin e Kurrikulës mbi Zhvillimin e Programeve për Kryesit e Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave.
“Me miratimin e ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2022 dhe i cili ka hyrë në fuqi këtë vit, i dëmtuari ose viktima ka të drejtë të paraqesë ankesë kundër aktvendimit për hedhjen poshtë të kallëzimit penal nga ana e Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen nga MD-ja.
MD-ja pranon se, siç konstatohet në raportin e Amnesty International, “kontraktimi i shërbimeve të strehimoreve për periudha afatgjata, vazhdon të jetë sfidues”, por shton se këto çështje priten të adresohen me Projektligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare. MD-ja ka thënë se ky projektligj do të miratohet nga Qeveria e Kosovës këtë javë.
Por, deri në zgjidhjen e këtyre problemeve, bazuar në statistikat e policisë, janë mesatarisht mbi shtatë viktima në ditë që përballen me pasiguri për të ardhmen e tyre gjatë rrugëtimit në sistemin e drejtësisë të Kosovës, pas raportimit të dhunës në familje.