KEDS-i ka vendosur që të shkyç nga sistemi një pjesë të ndriçimit publik në Ferizaj.
Këtë veprim ata e bënë si shkak i borxhit që ua ka komuna.
Ky fat e përcolli edhe fshatin Mirosalë, që prej më shumë se një muaji është pa ndriçim publik.
“Kemi lajmëruar komunën, organet e tjera, shkaku kanë thënë që është borxhi i rrymës nga Komuna edhe e kanë ndërprerë. Ne jemi të rrezikuar gjatë natës, veturat kur vijnë, fëmijët luajnë këtu domethënë ka rrezik, qysh i vjen se di as vet”, tha banori Vehbi Berisha.
Prandaj, banorët po kërkojnë që ky problem të zgjidhet shpejtë.
“Kërkesa jonë kishte me qenë me u zgjidh ky problem e me pas ndriçim se është pak fshat i shpërnda e problematikë është tani ka edhe qenë e sikur të kishte me qenë ndriçimi, krejt diçka tjetër kishte me qenë, shumë ma mirë u kanë por po presim”, deklaroi Hysen Krasniqi.
Për këtë gjendje të krijuar, komuna ka një arsyetim.
Sipas tyre, të hollat që ua mori kontrata kolektive i solli në këtë situatë.
“Arsyet i dijë edhe qytetarët ju kemi thanë që problemi kryesisht qëndron KEDS. Mos mundësia për të i paguar nga ana jonë faturat e fundit të rrjetit të ndriçimit jemi shkyçur. Jo, mënyra më e mirë dhe e duhur nga ana e tyre, por të gjitha Komunat e Kosovës janë duke u përballur me një problem serioz nga pagesat e mëdha që na e ka marr Kontrata Kolektive një shumë të madhe e kjo na ka detyruar që ne të mos mund të i kryejmë obligimet që i kemi ndaj KEDS dhe operatorëve të tjerë”, deklaroi Alberton Sahiti, drejtor i shërbimeve publike.
Megjithatë, drejtori i shërbimeve publike, Alberton Sahiti, thotë se po bëjnë përpjekje që shpejtë ta zgjidhin këtë problem.
Përveç fshatit Mirosalë, aktualisht pa ndriçim publik janë edhe fshati Dardani, si dhe shumë lagje të qytetit.






